• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, November 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Nga fshehja e identitetit te zhvendosja: Si mbrohen dëshmitarët e krimeve të luftës?

by A R
17/11/2026 16:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Sot në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të tjerë u dënuan nga Gjykata Speciale për pengim të administrimit të drejtësisë. Çështja lidhet me ndërhyrjet te dëshmitarët në gjykimin për krime lufte ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi u dënua me 17 muaj burgim. Gjykatësi konstatoi se, gjatë vizitave në paraburgim në vitin 2023, Thaçi u kishte dhënë vizitorëve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe, përmes tyre, u kishte përcjellë dëshmitarëve udhëzime se si të dëshmonin.

Ndërhyrja te dëshmitarët përmes frikësimit ishte evidentuar edhe në aktgjykimin e 16 shtatorit, kur katër ish-krerët e UÇK-së, Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte. Gjykatësit konstatuan se procesi ishte zhvilluar në një klimë të vazhdueshme frikësimi, ku disa dëshmitarë kishin tërhequr deklaratat ose ndryshuar dëshmitë e tyre.

Në një çështje tjetër, Gjykata Speciale kishte dënuar më herët edhe dy ish-udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn. Ata kishin publikuar dokumente konfidenciale me të dhëna për dëshmitarët dhe u shpallën fajtorë, ndër të tjera, për frikësim gjatë procedurës penale.

Mbrojtja e dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës është prej kohësh sfidë për Kosovën.

Që në vitin 2011, teksa mandati i Tribunalit për ish-Jugosllavinë po i afrohej fundit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përmendi vrasjen e disa dëshmitarëve në Kosovë dhe u kërkoi autoriteteve të Kosovës të miratonin një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës dhe të krimeve të tjera të rënda.

Në prill të vitit 2014, Kosova dhe BE-ja u pajtuan që Dhomat e Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale, të kishin një seli jashtë Kosovës dhe të punonin me gjykatës e staf ndërkombëtar.

Marrëveshja e vitit 2016 mes Kosovës dhe Holandës mundësoi mbajtjen e gjykimeve në Hagë. Sipas Speciales, frikësimi i dëshmitarëve ishte një nga arsyet për zgjedhjen e Hagës. Gjykata i përcaktoi masat për mbrojtjen e dëshmitarëve që në fillim.

Si mbrohen dëshmitarët në Hagë e si në Kosovë?

Dhomat e Specializuara kanë një Zyrë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, e cila funksionon në kuadër të Regjistrit të Gjykatës, që merret me mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve para, gjatë dhe pas dëshmisë.

Gjykata tha për Radio Evropën e Lirë se, në pesë gjykime të zhvilluara deri më tani, 92 dëshmitarë që dëshmuan në sallë ose përmes video-lidhjes kishin një formë të masës mbrojtëse brenda gjykatës, por tha se nuk mban statistika të detajuara për llojet e masave të përdorura.

Masat e urdhëruara nga gjyqtarët kanë përfshirë përdorimin e pseudonimeve, ndryshimin e zërit ose të imazhit, heqjen e emrave dhe të të dhënave identifikuese nga dokumentet, mbajtjen e dëshmisë në seanca private ose të mbyllura për publikun, si dhe dëshmimin përmes video-lidhjes. Në disa raste është lejuar edhe prania e një psikologu gjatë dëshmisë.

Gjykata thotë se mund të zbatohen edhe masa të tjera, varësisht nga rrethanat e secilit rast pasi për çdo dëshmitar bëhet vlerësim individual i rrezikut.

“Masat mbrojtëse shtrihen përtej dëshmisë dhe përfundimit të procedurave gjyqësore, kur kjo është e nevojshme. Vlerësime bëhen edhe për rreziqet e mundshme të sigurisë pas dëshmisë dhe ndërmerren masat e duhura”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për REL-in.

Ajo konfirmoi se ka mundësi ligjore të bashkëpunojë me autoritetet vendore dhe shtetet e tjera për të siguruar mbrojtjen e vazhdueshme të dëshmitarëve, përfshirë zhvendosjen e tyre. Megjithatë, Gjykata tha se nuk mund të ofrojë hollësi për këto raste.

Ndërkohë, në Kosovë, mbrojtja e dëshmitarëve rregullohet me Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, të miratuar më 2011. Ligji parasheh masa para, gjatë dhe pas procedurës penale, kur ekziston rrezik serioz për jetën ose shëndetin fizik dhe psikik të dëshmitarit apo të familjarëve të tij.

Masat përfshijnë mbrojtjen fizike, zhvendosjen e përkohshme në një vend të sigurt, ndërrimin e vendbanimit, punës ose shkollimit, ndryshimin e identitetit dhe mbështetjen financiare, sociale e ligjore.

Megjithë këto masa të parapara me ligj, zbatimi çalon. Misioni i OSBE-së në Kosovë analizoi 48 raste gjykimesh për krime lufte me 138 të akuzuar, të trajtuara nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë gjatë viteve 2019–2025.

Raporti, i publikuar në korrik të vitit 2026, identifikoi vonesa të gjata që lidheshin, ndër të tjera, me mosparaqitjen e dëshmitarëve në gjykatë. Në fund të raportit, OSBE-ja kërkoi masa më të forta mbrojtëse dhe mbështetje më efektive për viktimat dhe dëshmitarët.

Por, efekti i frikësimit të dëshmitarëve ndihet përtej vonesave në gjykim.

Presioni publik mund të ndikojë te dëshmitarët

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se praktikat gjyqësore në rastet e krimeve të luftës kanë nxjerrë në pah ndjeshmërinë e pozitës së dëshmitarëve, veçanërisht në proceset ndaj të akuzuarve të profilit të lartë.

“Vëmendja publike, komentet dhe, në raste të caktuara, etiketimet mund të krijojnë presion mbi dëshmitarët”, thotë Alija për REL.

Meqë në të kaluarën janë evidentuar raste të zbulimit të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ai thotë se këto raste kanë ngritur shqetësime për sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

“Situata të tilla mund të ndikojnë në besimin ndaj mekanizmave të mbrojtjes dhe në gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë”, thotë ai.

Alija vlerëson se në proceset aktuale në Kosovë për krime lufte ndaj pjesëtarëve të forcave serbe, ku të dëmtuarit janë kryesisht civilë shqiptarë, rrethanat mund ta kenë lehtësuar dëshmimin publik.

Megjithatë, ai thotë se përvoja dhe ndjenja e sigurisë ndryshojnë nga një dëshmitar te tjetri.

“Nevoja për mbrojtje duhet të vlerësohet individualisht, duke përfshirë, kur është e nevojshme, edhe fshehjen e identitetit nga publiku”, thotë Alija.

Dënime për ndërhyrje te dëshmitarët

Në aktgjykimin e shpallur më 17 nëntor, Gjykata Speciale në Hagë e shpalli fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra, ai u dënua me 17 muaj burgim.

Gjykatësi konstatoi se Thaçi, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit më 2023, u kishte dhënë vizitorëve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë dhe u kishte përcjellë udhëzime se si duhej të dëshmonin në procesin për krime lufte. Në dy raste, vizitorët i kishin përcjellë këto udhëzime te dëshmitarët Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi.

Në këtë proces u dënuan edhe tre të tjerë, teksa një nga të akuzuarit u shpall i pafajshëm.

Dënimet lidhen me veprimet për pengimin e drejtësisë në procesin kryesor ndaj Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte, që kishte nisur në prill të vitit 2023.

Në atë proces, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, Rexhep Selimi me 13 dhe Jakup Krasniqi me 25 vjet. Ata u shpallën përgjegjës për krime lufte që përfshinin ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Gjykata i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Verdikti pritet të apelohet.

Por, gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit për atë rast, gjykata tha se disa dëshmitarë të Prokurorisë kishin ndryshuar deklaratat e tyre të mëparshme. Sipas gjykatës, disa mund të kenë pasur frikë ose të mos kenë qenë të gatshëm t’i tregonin të gjitha rrethanat, për shkak të shqetësimit për sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Verdikti i sotshëm s’është dënimi i parë nga Gjykata Speciale për pengim të drejtësisë.

Në shtator të vitit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, atëherë drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pranuan dokumente konfidenciale që lidheshin me hetimet e Task-Forcës Speciale Hetimore dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ata i publikuan dokumentet në konferenca për media, paraqitje televizive dhe në rrjete sociale. Dokumentet përmbanin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm.

Në maj të vitit 2022, të dy u dënuan me nga katër vjet e gjashtë muaj burgim. Në shkurt të vitit 2023, Gjykata e Apelit ua uli dënimet në nga katër vjet e tre muaj burgim, duke ua llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.Gjykata konstatoi se Gucati dhe Haradinaj kishin përdorur edhe etiketime si “tradhtarë”, “spiunë” dhe “bashkëpunëtorë” për t’iu referuar dëshmitarëve. Sipas trupit gjykues, këto deklarata synonin t’i frikësonin ata dhe t’i bënin të hezitonin të bashkëpunonin me Prokurorinë./REL

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Nga fshehja e identitetit te zhvendosja: Si mbrohen dëshmitarët e krimeve të luftës?

Nga fshehja e identitetit te zhvendosja: Si mbrohen dëshmitarët e krimeve të luftës?

November 17, 2026
Gjykata në Beograd lëshon urdhër-arresti për Radoiçiçin

Gjykata në Beograd lëshon urdhër-arresti për Radoiçiçin

November 17, 2026
Mes Diellës dhe Skënderbeut: politika virtuale dhe Shqipëria reale

Zoti e ruajtë Nju Jorkun!

November 17, 2026
Ndërroi jetë në aksident, i jepet lamtumira shefit të Krimeve të Vlorës

Aksidenti ku humbi jetën shefi i Krimeve Ermal Lulaj, vihet në pranga drejtuesi i skrepit

November 17, 2026
VIDEO/ Mungon dakordësia në BE për mbylljen e “Kapitullit 20”? Ibrahimaj: I kemi përmbushur detyrimet!

“1,200 aplikime për startup-et”, Ibrahimaj njofton hapjen e akademisë për trajnimin e sipërmarrësve të rinj

November 17, 2026
Irani godet bazën amerikane në Bahrein, zhduket ekuipazhi i cisternës në Hormuz

Irani godet bazën amerikane në Bahrein, zhduket ekuipazhi i cisternës në Hormuz

November 17, 2026
Karburantet me çmim të ri, zbulohet sa do të paguajnë shoferët nga kjo e martë

Karburantet me çmim të ri, zbulohet sa do të paguajnë shoferët nga kjo e martë

November 17, 2026
11 armë, 7 faza dhe një objektiv: Zelensky zbulon si u godit Ura e Krimesë

11 armë, 7 faza dhe një objektiv: Zelensky zbulon si u godit Ura e Krimesë

November 17, 2026

Dhuna, dëmi në ekonomi: 100 fish më shumë se bizneset e dëmtuara?

November 17, 2026
Zbulohet komploti në Greqi me ‘hije’ nga Irani, arrestohen 5 persona të Maqedonisë së Veriut

Zbulohet komploti në Greqi me ‘hije’ nga Irani, arrestohen 5 persona të Maqedonisë së Veriut

November 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In