Kina ka dënuar kufizimet e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj eksporteve të çipave dhe ka paralajmëruar se do të marrë “masat e nevojshme” në përgjigje të vendimit të Uashingtonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi gjatë një konference për shtyp se SHBA-ja po e zgjeron, në mënyrë të tepruar konceptin e sigurisë kombëtare dhe po abuzon me masat e kontrollit të eksporteve.
“SHBA-ja vazhdon ta zgjerojë në mënyrë të tepruar konceptin e sigurisë kombëtare, duke abuzuar me masat e kontrollit të eksporteve”, u shpreh ai.
“Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, shtoi zëdhënësi.
Kufizimet e reja amerikane, synojnë të mbyllin një boshllëk në rregullat e mëparshme, i cili u vu në vëmendje pas një skandali, të lidhur me dyshimet për spiunazh dhe kompaninë amerikane të teknologjisë “Nvidia”.
Përmes këtyre kufizimeve, Uashingtoni synon të kontrollojë eksportin e teknologjive të avancuara të prodhimit të çipave, duke penguar mundësinë që ato të përfundojnë në duart e subjekteve, që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare amerikane.













