Sipas raportimeve të mediave italiane, një punëtor shqiptar ka humbur jetënmëngjesin e së martës në Itali, pasi është goditur nga një veturë në një kantier ndërtimi në autostradën A18, që lidh Mesinën me Katanian.
Aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 09:00, në zonën e kryqëzimit të Giardini Naxos, ku një veturë e drejtuar nga një grua ka hyrë në hapësirën e rrugës së bllokuar për shkak të punimeve dhe ka përplasur punëtorin shqiptar.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që drejtuesja e veturës të ketë kryer një manovër të papritur për të shmangur një rrezik të shkaktuar nga një automjet tjetër, transmeton Telegrafi.
Pas përplasjes, gruaja ka dalë menjëherë nga vetura për t’i dhënë ndihmën e parë punëtorit, por më pas edhe ajo është ndjerë keq dhe ka marrë trajtim nga ekipet e emergjencës 118.
Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.
