Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska thotë se prej vitit të ri akademik do të hyjë në fuqi zgjidhja e re softuerike për shujtën studentore, e cila parashikon që studentët nëpërmjet vauçerëve të mund të shërbehen nëpër shitore apo restorante të caktuara.

“Definitivisht me vitin e ri akademik do të kemi zgjidhje të re softuerike e cila përfshin disa organizata që do t’u ofrojnë shërbime studentëve me çmime të favorshme dhe me 20% lirim, jo vetëm të shujtës studentore, por edhe të asaj që nga mjetet e tyre do të duan ta blejnë në atë restorant, apo burektore ose në cilindo prej këtyre shitoreve që do t’i japin këto shërbime”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.


Ministrja tha se për ta finalizuar zgjidhjen do të duhet që sërish të organizohen takime përfundimtare me studentët.

Paraprakisht, Forumi për Ndryshime në Arsim e paditi Ministrinë e Arsimit për shkak se sipas tyre shuma prej 140 denarë për shujtën studentore, nuk është harmonizuar sipas rritjes së inflacionit, ashtu siç parashikon ligji. Nga FNA gjithashtu i kërkuan kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi që t’i hapë dyert e restorantit të Kuvendit për 30 deri në 40 studentë, të cilët do të paguanin ushqimet me çmimet që i paguajnë deputetët. E që sipas tyre, janë shumë më të ulëta se çmimi real në treg. Gashi për këtë ka deklaruar se studentët janë të mirëseardhur.

Ndërkohë mbetet e diskutueshme edhe lartësia e shujtës, ashtu siç kërkojnë studentët 200 denarë. Nga Ministria e Arsimit thonë se ata mjaftueshëm shpenzojnë për studentët, pasi çdo vit ndajnë nga 16 deri në 17 milionë euro vetëm për shujtën studentore, aq sa kushton të ndërtohen deri në dy shtëpi studentore./Alsat/