Ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, ka kryer 20 pompa së bashku me marinsat amerikanë që ruajnë Ambasadën e SHBA-së në Bejrut, në nderim të 241 pjesëtarëve të forcave amerikane të vrarë në sulmin ndaj kazermave ushtarake në vitin 1983.

Waltz publikoi një video në rrjetin social X, ku shihet duke kryer ushtrimet fizike përkrah marinsave. Ai tha se veprimi ishte një homazh për amerikanët që humbën jetën në sulmin e 23 tetorit 1983, për të cilin fajësoi Iranin dhe Hezbollahun, transmeton Telegrafi.


“Duke bërë 20 pompa me marinsat që ruajnë Ambasadën në Bejrut, në nderim të 241 amerikanëve të vrarë nga Irani dhe Hezbollahu në vitin 1983”, shkroi Waltz, duke e përmbyllur mesazhin me shprehjet tradicionale të Korpusit të Marinsave: “Oorah! Semper Fi”.

Sulmi ndodhi më 23 tetor 1983, kur një kamion i mbushur me eksploziv shpërtheu pranë kazermave ku qëndronin pjesëtarët e forcave amerikane të vendosura në Liban si pjesë e një misioni shumëkombësh paqeruajtës. Nga shpërthimi humbën jetën 241 pjesëtarë të ushtrisë amerikane, përfshirë 220 marinsa, 18 pjesëtarë të Marinës dhe tre ushtarë.

Waltz ndodhet në Liban në kuadër të një vizite zyrtare, gjatë së cilës pritet të diskutojë mbështetjen amerikane për zbatimin e marrëveshjeve dhe për një Liban sovran, pa ndikimin e Hezbollahut dhe Iranit. /Telegrafi/