Një sfidë e përhapur në TikTok ka përfunduar me pasoja fatale në Republikën Dominikane. Një vajzë e re, e identifikuar si Katia Araujo, ka humbur jetën pasi është mbytur me një copë pule gjatë një loje që po zhvillonte me miqtë e saj.

Ngjarja tragjike u regjistrua në qytetin San Cristobal, ku e reja pësoi asfiksi pasi ushqimi i bllokoi rrugët e frymëmarrjes. Miqtë e saj vunë re se ajo po vuante për të marrë frymë dhe tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.

Në ndihmë të saj ndërhyri më pas një fqinj, i cili e transportoi me automjet drejt spitalit. Megjithatë, me mbërritjen në institucionin shëndetësor, mjekët konstatuan se e reja kishte ndërruar jetë.

Sipas mediave të huaja, loja që po zhvillonin të rinjtë është bërë e njohur në rrjetet sociale dhe kombinon sfidën tradicionale “gur, gërshërë, letër” me konsumimin e ushqimit. Fituesi i lojës ka mundësinë të hajë sa më shumë që mundet, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë duhet të vrapojnë drejt një pike të caktuar dhe të kthehen.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje rreziqet e sfidave virale, të cilat shpesh realizohen për të tërhequr sa më shumë shikime dhe ndjekës. Konsumimi i sasive të mëdha të ushqimit në një kohë të shkurtër mund të sjellë pasoja serioze, përfshirë edhe rrezikun e mbytjes.