Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Kryeministri një takim me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, ku në fokus ka qenë edhe mundësia e përfshirjes së Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin angazhimin e Japonisë në këtë projekt, i cili parashikon lidhjen e Durrësit me Prishtinën, për të vijuar më pas drejt Nishit dhe Europës Qendrore.

“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.”- shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se hekurudha ka rëndësi të veçantë edhe për NATO-n, për shkak të Portit të ri të Durrësit, i cili sipas tij do të ketë një degë të dedikuar tërësisht për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.

“Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.”- vijoi ai.

Kryeministri e cilësoi projektin si një investim interesant dhe ftoi përfaqësuesit japonezë ta shqyrtojnë atë, duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me Japoninë apo me cilindo partner japonez për realizimin e tij.

“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.”- shkruan Rama.