Dy shtetase shqiptare, të moshës 45 dhe 39 vjeçe, janë dëbuar nga Italia dhe janë kthyer në Tiranë, pasi janë denoncuar për përvetësim të sendeve të vjedhura dhe janë konstatuar me qëndrim të parregullt në këtë shtet.

Ngjarja është regjistruar në komunën Monticelli d’Ongina, në provincën e Piacenzës, ku dy gratë janë ndaluar të shtunën nga Policia Bashkiake gjatë një kontrolli rutinë.


Gjatë verifikimeve, autoritetet italiane kanë konstatuar se të dyja shtetaset shqiptare nuk kishin dokumentacion të rregullt për qëndrimin në Itali. Për këtë arsye, ato janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë në Piacenza, ku janë kryer procedurat për dëbimin e tyre.

Sipas njoftimit të autoriteteve italiane, të dyja gratë janë denoncuar për veprën penale të përvetësimit të sendeve të vjedhura, shkruan Liberta.it

Ndërkohë, 45-vjeçarja rezultonte e dënuar më parë për grabitje pa përdorim të drejtpërdrejtë të dhunës, ndërsa 39-vjeçarja kishte pasur edhe më herët një vendim dëbimi nga Italia.

Meqenëse të dyja dispononin pasaporta të vlefshme, autoritetet kanë vendosur mbajtjen e dokumenteve për të mundësuar kthimin e tyre në Shqipëri, transmeton Telegrafi.

Dëbimi është realizuar pasditen e së hënës, më 16 nëntor, kur efektivët e specializuar të policisë i kanë shoqëruar drejt aeroportit Orio al Serio në Bergamo. Nga aty, ato janë nisur me një fluturim në orën 18:00 drejt Tiranës.

Rasti është bërë i ditur nga mediat italiane, të cilat raportojnë se procedurat janë zhvilluar nga Zyra e Emigracionit në kuadër të kontrolleve kundër qëndrimit të parregullt të shtetasve të huaj në Itali./Telegrafi/