Ndërpritet rrjeti shumë sekret i komunikimit i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së
Rrjeti shumë i klasifikuar që përdoret nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) për komunikimet e brendshme është jashtë funksionit, bëjnë të ditur gjashtë persona në dijeni të situatës.
Rrjeti, i njohur si NSA Net, u mundëson punonjësve të agjencisë të shkëmbejnë informacione të klasifikuara. Megjithatë, burimet thonë se deri më tani nuk ka dëshmi që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
Ndërsa po përpiqet të përcaktojë përmasat e problemit, agjencia ka vendosur orare të shkallëzuara të paraqitjes në punë për personelin, në mënyrë që mbërritja e punonjësve të bëhet në kohë të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan kanë deklaruar se ndërprerja e NSA Net nuk do të ndikojë në aftësinë e agjencisë për t'i përcjellë presidentit Donald Trump informacione urgjente të inteligjencës, ndërsa ai ndodhet në udhëtim në Azi me avionin presidencial Air Force One.
Të dy burimet kanë theksuar se qeveria amerikane ka disa sisteme rezervë dhe rrjete alternative për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin. Trump aktualisht ndodhet në Filipine, ndërsa nesër pritet të udhëtojë drejt Kinës për bisedime me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin.
Ndërprerja në një prej agjencive më të fuqishme të inteligjencës amerikane vjen pas disa problemeve të mëdha teknologjike që kanë prekur linjat ajrore dhe kompani të tjera në SHBA.
Të premten, të gjitha fluturimet në mbarë vendin u pezulluan për disa orë pas një dështimi të gjerë të sistemeve, duke shkaktuar mijëra vonesa dhe anulime. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e identifikoi problemin te një ruter i vetëm në Arkansas.
Ndërkohë, një ndërprerje e madhe javën e kaluar në shërbimet e Microsoft-it bëri që përdoruesit në mbarë botën të mos kishin qasje në emailin Outlook dhe në takimet përmes Microsoft Teams.
Deri më tani nuk ka të dhëna se ndërprerjet që prekën NSA-në, FAA-në apo Microsoft-in janë shkaktuar nga sulme kibernetike.
Megjithatë, këto raste tregojnë se sa të ndjeshme janë sistemet moderne ndaj defekteve teknologjike, të cilat mund të shkaktojnë kaos në tregje dhe potencialisht të rrezikojnë edhe sigurinë kombëtare. /Telegrafi/





























