“Zhdukja e Çmimit Nobel” Namik Dokle sjell Kukësin në qendër të rrëfimit letrar
Shkrimtari Namik Dokle prezantoi romanin e tij më të ri, “Zhdukja e Çmimit Nobel”, një vepër që sjell në qendër Kukësin dhe historinë e mikpritjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës. Përmes një subjekti të veçantë, ku ndërthuren ironia, humori dhe grotesku, autori trajton kujtesën historike dhe kontradiktat e shoqërisë.
Në aktivitet, botuesja e librit Irena Toci u ndal te veçoritë e veprës, ndërtimi i saj dhe mesazhet që përcjell.
“Në këtë libër, Namik Dokle flet për çmimin Nobel, por jo për çmimin Nobel në Letërsi, por për Çmimin Nobel për Paqen. Ai shpjegon pse ky çmim Nobel për Paqen erdhi në një fshat shqiptar në kufi me Kosovën. Në këtë libër, ai reflekton mbi luftën në Kosovë’, u shpreh botuesja Toci.
Ndërsa vetë autori ndau me të pranishmit frymëzimin dhe idenë që qëndron pas këtij rrëfimi, ku historia e Kukësit merr një dimension të veçantë artistik.
“Një pjesë e këtij libri i kushtohet edhe tragjedisë që ndodhi në kohën kur filloi lufta në Kosovë: dëbimit me dhunë të familjeve, fëmijëve, të moshuarve, grave e të tjerëve”, tha autori i librit Namik Dokle.
Përmes këtij romani, Namik Dokle rikthen në vëmendje një nga kapitujt më domethënës të historisë së Kukësit, duke e shndërruar mikpritjen, solidaritetin dhe kujtesën e një qyteti në një rrëfim letrar që përcjell mesazhe përtej kohës dhe brezave.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




