Presidenti Duka ka vlerësuar paraqitjet e kuqezinjve dhe punën e futbollistëve e stafit teknik, duke theksuar besimin te potenciali i skuadrës për të synuar një tjetër kualifikim në Kampionatin Europian.
Ai ka ndarë gjithashtu qëndrimin e tij për shortin e eliminatoreve, mundësinë e një përballjeje me Kosovën dhe marrëdhëniet mes dy federatave, si dhe ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të FSHF-së për futbollin e Kosovës.
– Fillimisht, urime për dominimin e Shqipërisë në Grupin C. Sa i kënaqur jeni me paraqitjet dhe objektivin e arritur?
– Jam i kënaqur që u renditem të parët dhe arritëm objektivin që kishim vendosur. Dua të përgëzoj futbollistët dhe stafin për impenjimin dhe seriozitetin me të cilin e përballuan këtë edicion. Edhe kur je favorit, duhet ta dëshmosh në fushë dhe ta meritosh çdo fitore.
Megjithatë, vendi i parë nuk do të thotë se gjithçka ishte perfekte. Duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarëve, do të kisha dashur që ky edicion të na kishte shërbyer edhe për t’u dhënë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj. Krahas arritjes së objektivit, duhet të punojmë vazhdimisht për të zgjeruar alternativat dhe për të përgatitur të ardhmen e Kombëtares.
– Ju gëzon më shumë rikthimi në Ligën B apo mundësia e një vendi në play-off-in e EURO 2028?
– Për mua, Shqipëria e ka vendin në Ligën B dhe duhet të ketë ambicien të luftojë për Ligën A. Zbritja në edicionin e kaluar ishte e dhimbshme, në një grup ku deri në fund ishim në garë për gjithçka. Na kushtuan veçanërisht ato 45 minuta të këqija kundër Ukrainës. Këtë herë reaguam dhe u rikthyem aty ku besoj se meritojmë të jemi.
Sa i përket play-off-it, është një mundësi që ka vlerën e vet, por nuk dua ta ndërtojmë objektivin tonë rreth tij. Ne duhet të synojmë kualifikimin në EURO 2028 përmes eliminatoreve. Kemi besim te skuadra dhe duhet të hyjmë në atë garë me këtë ambicie. Le të presim shortin dhe të përgatitemi për ta arritur.
– Sa besoni te ky ekip? A i ka aftësitë për t’u kualifikuar në Evropianin e radhës, duke qenë se Shqipëria renditet në vazon e tretë dhe mund të ketë dy kundërshtarë të fortë përpara?
– Besoj te kjo skuadër. Kemi futbollistë me cilësi, përvojë ndërkombëtare dhe të rinj që mund të na japin edhe më shumë në të ardhmen. Kemi kapacitetet për të luftuar për një tjetër kualifikim, por duhet t’i shprehim ato me vazhdimësi në fushë.
Askush nuk të shtron tapetin e kuq për në Evropian. Duhet të djersitesh, të luftosh për çdo pikë dhe të besosh deri në fund. Nuk ka kundërshtarë që mund t’i marrësh lehtë dhe as kualifikim që fitohet vetëm nga emrat që ke në skuadër.
Të presim shortin, të njohim kundërshtarët dhe të përgatitemi me seriozitet. Respekt për këdo që do të kemi përballë, por edhe besim te vetja dhe te objektivi ynë.
– Shorti po afron dhe, nëse Kosova siguron një vend në vazon e dytë, mund të përballeni. A ka ardhur koha që dy kombëtaret tona të jenë në të njëjtin grup? Nëse ndodh, cila është më e mirë?
– Ne jemi një komb dhe dëshira ime është që të dyja kombëtaret të kenë sukses. Do të preferoja të mos ishim në të njëjtin grup, që të mos ia vështirësonim njëra-tjetrës rrugën drejt Evropianit. Do të ishte një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët t’i shihnin të dyja në fazën finale.
Nëse shorti na vendos përballë, sigurisht që do të luajmë dhe secila do të bëjë më të mirën për të fituar, me respekt të plotë për njëra-tjetrën.
Sa për pyetjen se kush është më e mirë, këtë e tregon fusha. Të dyja kanë futbollistë cilësorë dhe ambicie. Unë besoj te Shqipëria, por më gëzon çdo sukses i Kosovës.
– Deklaratat tuaja ndër vite kanë qenë në mbështetje të Kosovës. Edhe vitin e kaluar i thatë Yll Gashit: “Nëse jo te Shqipëria, shko te Kosova”. A ka ndryshuar diçka muajt e fundit, tani që po diskutohet për futbollistë që kalojnë nga Shqipëria te Kosova, si rasti i Enis Rexhepit?
– Jo, qëndrimi im nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për të ndryshuar. Mbështetja ime për futbollin e Kosovës është dëshmuar me punë dhe angazhim konkret në momentet më të rëndësishme. Ajo nuk është varur dhe nuk do të varet kurrë nga marrëdhënia me një president, një trajner apo nga zgjedhja e një futbollisti.
Sinqerisht, më dhemb kur përpjekjet dhe lobimi ynë për pranimin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar reduktohen në disa deklarata publike. Ka qenë një angazhim i gjatë, në një periudhë kur futbolli i Kosovës kishte shumë nevojë për mbështetje. Historia duhet të kujtohet me ndershmëri. Jam krenar që kam qenë pranë tij në ato momente.
Kam besuar gjithmonë se futbollistët shqiptarë, kudo që jetojnë, duhet t’i kenë dyert e hapura. Kështu kam menduar kur kishin më pak alternativa dhe kështu mendoj edhe sot, kur kanë mundësi të zgjedhin. Mesazhi për Yll Gashin ishte pikërisht në këtë frymë.
Natyrisht, si president i FSHF-së, dëshiroj që futbollistët më të mirë të zgjedhin Shqipërinë dhe punojmë për këtë. Por vendimi i çdo futbollisti duhet respektuar. Për rastet konkrete duhet të flasim mbi fakte, ndërsa mes dy federatave duhet të ketë komunikim, korrektësi dhe respekt për punën e njëra-tjetrës.
Për mua, suksesi i Kosovës është një gëzim për të gjithë futbollin shqiptar. Ky ka qenë dhe mbetet qëndrimi im.
– Për fund, a keni ndonjë preferencë për shortin e EURO 2028? Do të dëshironit ndonjë kombëtare të madhe në Tiranë?
– Për tifozët është gjithmonë kënaqësi të shohin në Tiranë kombëtaret dhe futbollistët më të mëdhenj të Evropës. Për mua, dëshira e parë është një short që na jep sa më shumë mundësi për t’u kualifikuar.
Nëse do të mund të zgjidhja, do të preferoja të shmangnim Spanjën, Gjermaninë, Francën, Anglinë dhe Portugalinë. Janë skuadra me cilësi dhe potencial të jashtëzakonshëm. Por edhe kundërshtarët e tjerë kërkojnë përgatitje dhe vlerësim maksimal.
Shortin nuk e kemi në dorë. Përgatitjen tonë, po. Cilido qoftë grupi, duhet të hyjmë në garë me ambicie, me besim dhe me synimin për ta çuar Shqipërinë sërish në Evropian.
