Katër persona janë arrestuar nën dyshimin se po përgatisnin një akt terrorist në Greqi; prej tyre katër janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa dyshohet edhe për përfshirjen e dy shtetasve iranianë. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se kreu i organizatës ishte Edriz Mavaneh, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhej nga persona me bindje radikale islamike nga zonat e Kumanovës dhe Shkupit.
Policia greke ka bërë të ditur arrestimin e Shpëtim Musliut, i datëlindjes 21.12.1996, i lindur dhe banues në Kumanovë. Musliu, së bashku me anëtarë të tjerë të celulës, dyshohet se planifikonin të kryenin në Greqi atentatin ndaj një biznesmeni që gjithashtu mbante një post të lartë drejtues në një kompani izraelite të prodhimit të armëve. Sipas hetimeve, i gjithë operacioni dyshohet se financohej nga shtetasi iranian i identifikuar si Mabanex, i cili kishte marrë urdhër nga shërbimet iraniane të inteligjencës për eliminimin e biznesmenit izraelit.
Për këtë qëllim, raportohet se ishin rekrutuar persona me bindje radikale islamike nga Kumanova, të cilët kishin pranuar të kryenin atentatin. Disa prej tyre tentuan të kalonin kufirin drejt Greqisë, por nuk u lejuan të hynin pasi rezultonin në listat e personave të dyshuar për pikëpamje radikale. Edhe Shpëtim Musliu kishte tentuar më parë të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer mbrapsht në pikën kufitare të Evrosit.
Në një përpjekje të dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke ishin njoftuar nga homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut për planin e celulës. Autoritetet greke kanë deklaruar se e kishin mbajtur grupin nën përgjim për rreth një vit. Pas dorëzimit të Musliut pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, shërbimet greke nisën një valë të re hetimesh për të zbuluar nëse anëtarët e celulës kanë bashkëpunëtorë apo udhëzues shpirtërorë brenda qarqeve të komunitetit mysliman që jeton në Greqi.
