Një seri e qumështit VITA UHT 3.2% është bllokuar dhe tërhequr nga tregu në Kosovë, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës M1. Produkti tregtohet edhe në Shqipëri, ndaj njoftimi përbën një informacion të rëndësishëm edhe për konsumatorët shqiptarë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen nga pikat e shitjes të serisë së prekur. Bëhet fjalë për qumështin VITA UHT me 3.2% yndyrë, në paketim njëlitërsh, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027. Produkti është prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K., e njohur si Qumështorja VITA.
“AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë”, thuhet në njoftimin e autoriteteve kosovare.
Sipas mediave në Kosovë, analizat e kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë zbuluar një përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Tejkalimi është konfirmuar edhe nga analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ku tri mostra të qumështit VITA 3.2% kanë rezultuar mbi nivelin e lejuar.
Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të shfaqet në qumësht si pasojë e ushqimit të kafshëve me produkte të kontaminuara me aflatoksinë B1. Për këtë arsye, autoritetet u kërkojnë konsumatorëve të kontrollojnë datën e prodhimit dhe të mos konsumojnë produktin që i përket serisë së identifikuar.
Deri më tani, njoftimi i AUV-së lidhet me serinë e përcaktuar të produktit dhe jo me të gjithë qumështin e markës VITA.


