E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Erjon Vishkulli rikthehet nga Italia: Nuk kam siguri për shikimin
Lajme

Erjon Vishkulli rikthehet nga Italia: Nuk kam siguri për shikimin

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që pësoi dëmtime të rënda në sy gjatë protestave në Tiranë, është rikthyer në Shqipëri pas tre javësh trajtimi në Itali, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pas operacionit të parë, ai vijon të shpresojë për rikuperimin e shikimit, megjithëse mjekët ende nuk mund të japin një përgjigje përfundimtare mbi ecurinë e tij shëndetësore.

Vishkulli ka ndarë detaje mbi gjendjen aktuale dhe pritshmëritë për ndërhyrjet e ardhshme. Ai tregoi se kontrolli i fundit mjekësor ka sjellë sinjale inkurajuese, pasi ka arritur të perceptojë dritën me syrin e dëmtuar. Një zhvillim që i ka rikthyer shpresën, por që ende nuk përbën garanci për rikthimin e plotë apo të pjesshëm të shikimit.

28-vjeçari shpjegoi se ndërhyrja e parë në Itali kishte si qëllim heqjen e pjesës së mbetur në syrin e dëmtuar, ndërsa faza e ardhshme e trajtimit konsiderohet vendimtare për të kuptuar nëse shikimi mund të rikuperohet.

“Për momentin fjalët janë të mira për syrin, por siguri nuk kemi. Presim ndërhyrjet edhe, shpresoj të bëhet më e mira. Kontrolli i fundit për syrin më dha shpresë, sepse ndieja dritë. Operacioni i radhës, që është kryesori, aty besoj do të shoh shenjat e para. Më 17 dhjetor kam kontrollin”, u shpreh Vishkulli.

Përtej vështirësive fizike dhe pasigurisë që shoqëron procesin e rikuperimit, i riu tha se mbështetja që ka marrë nga qytetarë të shumtë, miq dhe të afërm ka qenë një ndihmë e rëndësishme në përballimin e kësaj periudhe.

Ai vlerësoi solidaritetin e treguar ndaj tij, duke veçuar vizitat, telefonatat dhe mesazhet e shumta që, sipas tij, i kanë dhënë forcë për të vijuar përballjen me situatën.

“Sa të kem shqiptarët, është motivi më i madh. Kam pasur këdo, miq, shokë, shqiptarë që kanë ardhur të më takojnë, mesazhe pa fund, telefonata, që më kanë dhënë motivim të madh”, deklaroi ai.

I pyetur për momentin kur u dëmtua gjatë protestës në Tiranë, Vishkulli zgjodhi të mos rikthehej në detajet e ngjarjes, duke e cilësuar atë si një kujtim të dhimbshëm që nuk dëshiron ta risjellë në mendje.

Megjithatë, pavarësisht pasojave që pësoi, 28-vjeçari u shpreh se nuk është penduar për vendimin për të marrë pjesë në protestë.

“S’dua ta kujtoj atë ditë. Asnjë pendesë që mora pjesë”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.