3.59 mln euro dëme ndaj bizneseve nga protestat/ Akti normativ miratohet mes debateve, opozita kërkon kompensim edhe për protestuesit, Braçe: Dhuna nuk është protestë

17/11/2026 13:26

Shqyrtimi i aktit normativ për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Ndërsa qeveria kërkoi miratimin e shpejtë të aktit për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të vogla, opozita ngriti shqetësimin për përdorimin e dy standardeve, duke kërkuar kompensim edhe për protestuesit e lënduar dhe qytetarët e dëmtuar nga përmbytjet.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, theksoi nevojën për miratimin e aktit normativ, duke e cilësuar ndërhyrjen emergjente.

“Ta kalojmë këtë akt normativ, është emergjente t’u vijmë në ndihmë bizneseve”, u shpreh Ekonomi.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Erjon Braçe kërkoi që vëmendja të mos përqendrohet vetëm te bizneset private, por edhe te dëmet e shkaktuara në institucionet publike, ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve, ndriçimit dhe grumbullimit të mbetjeve. Ai kërkoi gjithashtu që përgjegjësit të paguajnë për dëmet e shkaktuara.

“Po dëmi që kanë shkaktuar në institucione publike, kush do ta paguajë dhe si do të kompensohen institucionet publike? Për shembull, ndërmarrja me rrugët, me ndriçimin, mirëmbajtjen, fjala bie, dëmi që i është shkaktuar gjithë rrjetit rrugor, ndërmarrja e grumbullimit të mbetjeve dhe ai shumë i madhi dëm i shkaktuar.

Këto biznese që kanë thënë ‘shumë mirë na i bënë’, kanë aplikuar dhe a do të klasifikohen për dëmshpërblim? Siç përdorni fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për sipërmarrjet, duhet ta përdorni edhe për institucionet publike”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist theksoi se dhuna nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën e protestës, ndërsa iu referua edhe ngjarjeve të 21 janarit 2011, duke kërkuar zbatimin e parimit që përgjegjësit të paguajnë për dëmet.

“Në këtë vend janë vrarë njerëz, i pushkatoi ai me urdhër nga godina përballë dhe ka që nga 2011, 15 vjet rresht, që s’mban përgjegjësi njeri, se këtu dhuna ngatërrohet. Nuk mund të jetë kështu. Akte kot mos sillni, por bëjini të veprojnë siç duhet. Ligjëroni parimin: dhunuesi paguan”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Igli Cara e cilësoi kompensimin e bizneseve një të drejtë legjitime, por kundërshtoi mënyrën se si qeveria po ndërhyn, duke ngritur pyetjen përse nuk zbatohet i njëjti standard edhe në raste të tjera.

“Kërkoni që të paguajnë ata që dëmtuan. Nuk kuptoj, është gjithmonë i njëjti standard? Po kur dëmtohet buxheti i shtetit me miliarda, kush e ka kompensuar? Po në raste kur kemi përmbytje, pse nuk u shqetësua kaq shumë qeveria që të dëmshpërblejë përmbytjet? E drejta e protestës është legjitime. Po në rastin e dëmtimeve shëndetësore të protestuesve nga dhuna, si këmbë të thyera, brinjë të thyera, sy të dëmtuar, pse nuk bën akt normativ?”, deklaroi Cara.

Deklarata e tij solli replika me deputetin socialist Erjon Braçe.

Braçe: Ka paguar qeveria.

Cara: Jo vetëm një rast, ka shumë raste.

Braçe: Mos ndërhyni.

Cara: Ju po ndërhyni në fjalën time.

Cara: Pse nuk është i njëjti standard edhe për dëmet e përmbytjeve? Nuk flasin kolegët për miliona euro dëme, por edhe për dëmet në buxhetin e shtetit, të provuara nga KLSH, nuk mban njeri përgjegjësi.

Braçe: Pse s’e bëre pyetjen kur ishte ministri i Financave? Ti vrave njerëzit aty.

Cara: Po flas për ato që ndodhin, zoti Braçe. Shqiptarët po pakësohen.

Milva Ekonomi: Më pak se 10 vite më parë, zoti Cara.

Pas debateve, akti normativ “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave” u miratua në Komisionin e Ekonomisë me 8 vota pro dhe 3 abstenime.

Sipas të dhënave të paraqitura nga Ministria e Ekonomisë, deri më 16 nëntor, 125 biznese kanë pretenduar dëme në vlerën totale prej 3.59 milionë eurosh. Akti normativ parashikon kompensimin e bizneseve të vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë. Fillimisht dëmshpërblimi do të mbulohet nga sigurimi, ndërsa shteti do të paguajë pjesën e mbetur dhe më pas do të kërkojë rikuperimin e shumave nga personat përgjegjës.

Debati i plotë në Komisionin e Ekonomisë:

Përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë: Biznesin e vogël me 14 mln lekë mbulon akti. Biznesi ka më pak rezerva për të përballuar një goditje. Sigurimi paguan i pari, shteti paguan pjesën e mbetur dhe kërkon shumën nga përgjegjësi. Deri më 16 nëntor, vlera që 125 biznese pretendojnë është 3.59 mln euro.

Milva Ekonomi: Ta kalojmë këtë akt normativ, është emergjente t’u vijmë në ndihmë bizneseve.

Erjon Braçe: Po dëmi që kanë shkaktuar në institucione publike kush do ta paguajë dhe si do të kompensohen institucionet publike? P.sh., ndërmarrja me rrugët, me ndriçim, mirëmbajtjen, fjala bie, dëmi që i është shkaktuar gjithë rrjetit rrugor, ndërmarrja e grumbullimit të mbetjeve dhe ai shumë i madhi dëm i shkaktuar.

Këto biznese që kanë thënë “shumë mirë na i bënë”, kanë aplikuar dhe a do të klasifikohen për dëmshpërblim? Nuk e kuptoj çfarë duan me derën e Kuvendit. Po të duan të hyjnë, po kuptuan gjë në komision, le të vijnë. Ka mekanizëm për këta që të shlyejnë dëmet e shkaktuara këta?

Igli Cara: Është një akt i sjellë për bizneset e dëmtuara. Kompensimi është në vetvete një synim i ligjshëm, çdo pronë që dëmtohet duhet të kompensohet. Problemi qëndron në mënyrën se si sillet, duhet të sillej sipas nenit 101.

Kërkoni që të paguajnë ata që dëmtuan. Nuk kuptoj, është gjithmonë i njëjti standard? Po kur dëmtohet buxheti i shtetit me miliarda, kush e ka kompensuar? Po në raste kur kemi përmbytje, pse nuk u shqetësua kaq shumë qeveria dhe të dëmshpërblejë përmbytjet?

E drejta e protestës është legjitime. Po në rastin e dëmtimeve shëndetësore të protestuesve nga dhuna, si këmbë të thyera, brinjë të thyera, sytë e dëmtuar, pse nuk bën akt normativ?

Erjon Braçe: Ka paguar qeveria.

Igli Cara: Jo vetëm një rast, ka shumë raste.

Erjon Braçe: Mos ndërhyni.

Igli Cara: Ju po ndërhyni në fjalën time.

Igli Cara: Pse nuk është i njëjti standard edhe për dëmet e përmbytjeve? Nuk flasin kolegët për miliona euro dëme, por edhe për dëmet në buxhetin e shtetit të provuara nga KLSH nuk mban njeri përgjegjësi. Qeveria e Ramës kërkon para tek kundërshtarët. Nuk mund të penalizojmë dhe të trembim protestuesit.

Shqetësimi, dëmi i madh nga keqqeverisja, varfëria, pamundësia e pensionistëve për të mbyllur muajin.

Pse me dy standarde? Kjo është pyetja. Durrësi ndër vite s’ka marrë lekët.

Erjon Braçe: Pse s’e bëre pyetjen kur ishte ministri i Financave?

Ti vrave njerëzit aty.

Igli Cara: Po flas për ato që ndodhin, z. Braçe. Shqiptarët po pakësohen.

Milva Ekonomi: Më pak se 10 vite më parë, z. Cara.

Igli Cara: Çdo gjë që keni bërë në 13 vite doni ta kanalizoni me protestën. Dëmin shëndetësor që u keni shkaktuar protestuesve, do të ketë ndonjë akt normativ? Dëmi shëndetësor i pariparueshëm dhe atij që theu këmbën, i pariparueshëm.

Milva Ekonomi: Edhe të atyre policëve gjithashtu.

Përfaqësues i ministrisë: Është bërë një vlerësim paraprak dhe ka rezultuar i përafërt me kërkesat e bizneseve. Buxheti do të alokohet me VKM, mendohet nga fondi rezervë. Për dëmin e institucioneve publike, ky akt normativ është specifik për bizneset e vogla. Sepse dëmi është i madh dhe i vazhdueshëm për bizneset. Për ata të Rrugës së Durrësit që pyetët, do të verifikohen dhe do të merret një vendim.

MEI e ka miratuar udhëzimin, Drejtoria e Tatimeve ka vazhduar me procesin. Ne merremi me inventarin që kanë qenë që në 2025. Ankimimet në bazë të rasteve.

Për organizatorin e vendos gjykata, jo ministria.

Përfaqësues i ministrisë: Arsyeja pse lidhet vetëm me biznesin lidhet me urgjencën që kanë.

Milva Ekonomi: Nuk keni një përgjigje për institucionet publike dhe ato kanë një NIPT.

Përfaqësues i ministrisë: Vetëm po merremi me dëmet e bizneseve, duhet të merret Avokatura e Shtetit.

Erjon Braçe: Në vend ka pasur protesta gjithmonë dhe ajo që ka bërë diferencën ka qenë dhuna. Dhuna nuk është protestë, nuk ka lidhje, edhe pse mund ta shfrytëzojë për t’u ushtruar si e tillë. Dënohet si dhunë, më vjen mirë që kemi një akt të tillë. Nuk e pranoj logjikën tuaj sa i takon infrastrukturës publike

Top Channel