Një 64-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e kësaj të marte në Itali, pasi u përplas nga një automjet teksa punonte në një kantier në autostradën A18, në aksin Messina-Catania. Sipas mediave italiane, shqiptari po punonte në një kantier ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje, kur një automjet ka hyrë në zonën e punimeve dhe e ka përplasur fuqishëm. Nga rindërtimi paraprak dyshohet se drejtuesja e makinës ka humbur kontrollin pas një manovre të rrezikshme të kryer nga një tjetër drejtues automjeti. Gruaja është ndalur menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë punëtorit, por 64-vjeçari kishte ndërruar jetë. Ajo ka humbur vetëdijen për shkak të tronditjes dhe është transportuar në spital. Policia italiane vijon hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe përgjegjësitë për vdekjen e punëtorit shqiptar.