Takimi është zhvilluar në kuadër të pjesëmarrjes së Haxhiut në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.

Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se Metsolën e ka falënderuar për ftesën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Ajo ka thënë se gjatë takimit ka kërkuar angazhimin e Metsolës që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE.

Haxhiu ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet prej kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë përparim konkret në këtë proces.

"Vendi ynë është plotësisht i përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa qytetarët tanë janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit në gjithë rajonin", ka shkruar ajo.

Sipas Haxhiut, në takim është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, përmes Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit dhe shkëmbimeve të drejtpërdrejta ndërmjet deputetëve dhe administratave të të dy parlamenteve.

Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar edhe mbështetjen e Metsolës për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU), ndërsa kjo e fundit është zotuar se do të ndihmojë në këtë drejtim.

Në fund të takimit, Haxhiu ka ftuar Presidenten e Parlamentit Evropian për një vizitë zyrtare në Kosovë.