Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në Berat takimin e radhës në kuadër të turit “Foltorja e Ripërtëritjes”, ku ka përsëritur thirrjen për bashkimin e demokratëve dhe forcave opozitare. Gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi situatën aktuale në vend si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë.
Berisha u ndal te përçarjet brenda opozitës, duke theksuar se në momente të vështira dallimet duhet të lihen mënjanë. Për të ilustruar këtë mesazh, ai solli në vëmendje bashkëpunimin e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht dallimeve të mëdha mes tyre.
“Përballë çdo rreziku ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi! Edhe Churchill u bashkua me Stalinin”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai kritikoi gjithashtu krahasimet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si dhe mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si përpjekje për të dobësuar opozitën.
Berisha mbrojti historikun e Partisë Demokratike, duke përmendur kontributin e saj në orientimin perëndimor të Shqipërisë, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO. Ai pranoi se PD ka bërë gabime, por tha se historia e saj, sipas tij, është e lidhur me lirinë dhe integrimin europian të shqiptarëve.
“Ne kemi bërë gabime, pa diskutim, por ama historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do gjejë se është historia e lirisë së shqiptarëve.
Historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do të gjejë se është historia e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar”, u shpreh Berisha.
Duke iu rikthyer thirrjes për bashkim, ai përmendi edhe qëndrimin e Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke argumentuar se aleancat janë të nevojshme përballë kërcënimeve të mëdha.
“Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin. Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli. Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë”, deklaroi ai.
Në vijim, kreu i PD-së akuzoi qeverinë për korrupsion, ndikim të krimit dhe keqadministrim të pasurive kombëtare, duke i lidhur këto pretendime me nevojën për bashkimin e opozitës.
“Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajde të bashkohemi”, tha Berisha.
Takimi në Berat është pjesë e turit politik “Foltorja e Ripërtëritjes”, përmes të cilit Berisha po zhvillon takime me mbështetës dhe demokratë në qytete të ndryshme të vendit.
