Flori super i pastër, ora Richard Mille, tufa me euro dhe drogë: SPAK “çmendet” nga bisedat e grupit Çela-Çopja
Foto të lingotave të arit, sasive të kokainës, armëve të zjarrit, tufave me euro dhe sendeve luksoze. Një pjesë e këtyre pamjeve, që dokumentojnë luksin dhe aktivitetin e dyshuar kriminal të grupit Çela-Çopja, anëtarët ia dërgonin njëri-tjetrit përmes aplikacioneve të enkriptuara të komunikimit, të cilat më pas u zbërthyen nga autoritetet. Ndërkohë, një pjesë tjetër e materialeve fotografike dhe provave u sekuestruan gjatë aksioneve të zhvilluara nga autoritetet.
Detajet e siguruara nga Infonews, përmes dosjes hetimore të SPAK, hedhin dritë mbi mënyrën se si anëtarët e organizatës komunikonin, shkëmbenin informacione dhe dokumentonin aktivitetin e tyre. Në komunikimet e zbërthyera shfaqen jo vetëm sasi të mëdha droge dhe para, por edhe ora luksoze të markës Richard Mille, ar, armë dhe produkte të tjera me vlerë të lartë.
Por pas këtyre pamjeve qëndrojnë edhe shifra marramendëse të trafikut ndërkombëtar të kokainës, dyshime për korruptimin e zyrtarëve të lartë në Paraguai dhe bashkëpunime për sigurimin e ngarkesave të mëdha të drogës drejt Europës.



Ervis Çela pretendonte se paguante komandantin e policisë dhe ministrin e antidrogës në Paraguai
Nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, Ervis Çela, nga Peqini, dyshohet se gjatë qëndrimit në Paraguai kishte arritur të krijonte lidhje me zyrtarë të lartë të autoriteteve vendase, me qëllim lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Në një prej bisedave me Franc Copjan, Ervisi pretendon se gëzonte mbrojtjen e autoriteteve paraguajane, duke deklaruar:
“Jam i mbrojtur me shtet këtu… Nuk e kam hall fare këtu… Komandantin e përgjithshëm të policisë i jap rrogë mujore… Ministrin e antidrogës i jap rrogë. 3/4 gjykatësve të fortë i jap rrogë…”
Sipas të dhënave të administruara në dosje, nga letërporositë e mbërritura prej autoriteteve paraguajane rezulton se Ervis Çela, gjatë qëndrimit në këtë shtet, në zonën e Aguilar, ka përdorur një identitet dhe pasaportë të falsifikuar, në emrin Joze Medardo Rodriguez Aguilar, me kombësi ekuadoriane.
Në dosje dokumentohet gjithashtu bashkëpunimi i tij me një shtetas brazilian, të identifikuar si Clayton Santos Lima, për sigurimin dhe trafikimin drejt Europës të sasive të mëdha të kokainës.
SPAK bën me dije se në Paraguai ka udhëtuar dhe qëndruar edhe Ardian Çela, njëri prej vëllezërve të Ervisit. Ndërkohë, në këtë shtet ka shkuar disa herë edhe Fadil Balla, i njohur gjithashtu me emrin Julian dhe nofkën “Shijaksi”. Ky i fundit njihet edhe si pronar i resortit “Ajman”, të sekuestruar nga SPAK, ndërsa aktualisht është në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për përfshirje në këtë organizatë kriminale.
Qarkullimi i qindra milionë eurove
Një tjetër element i rëndësishëm që del nga hetimet lidhet me përmasat financiare të aktivitetit kriminal. Sipas dosjes së SPAK, vetëm brenda një muaji organizata ka gjeneruar dhe grumbulluar rreth 150 milionë euro, ndërsa pritej të mblidheshin edhe 40 milionë euro të tjera. Në një hark kohor prej dy vitesh, shumat e qarkulluara kanë kaluar gjysmë miliardi euro.
Konkretisht, nga komunikimet në Sky ECC mes Renato Musakut dhe Petrit Lakatos, në periudhën 9 nëntor 2020 deri më 7 dhjetor 2020, rezulton se janë gjeneruar dhe grumbulluar 151.380.000 euro, ndërsa pritej të siguroheshin edhe 40 milionë euro të tjera.
Sipas SPAK, nga nëntori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, organizata Çopja ka qarkulluar jo më pak se 520 milionë euro, të ardhura nga trafiku i kokainës.
12 ton kokainë në një operacion të vetëm
Në një prej komunikimeve të zbardhura, Franc Copja tregon për një nga sasitë më të mëdha të kokainës që, sipas tij, organizata kishte arritur të trafikonte drejt Europës.
Ai flet për 12 ton kokainë, duke e cilësuar këtë si një nga ngarkesat më të mëdha të futura ndonjëherë në Europë. Sipas bisedës, droga ishte fshehur në paleta me kuti boje, ndërsa personat e përfshirë në operacion nxirrnin prej tyre pakot me lëndën narkotike.
Në komunikimin e tij, Franc Copja shprehet:
“Puna ma e madhe në histori që ka hy i herësh në Europë, 12 ton, 8,7 ka qenë rekordi. Ka qenë për 15 ton, po s’i futa 3 ton. Thashë ato i q*** motrën fare, erdhën jeshil… U shplodhët nai cik…”
Ofertat për armë nga Paraguai
Një tjetër detaj që del nga komunikimet e zbardhura në Sky ECC është edhe oferta e Ervis Çelës për t’i siguruar Franc Copjas armë të trafikuara nga Paraguai.
Bëhet fjalë për pistoleta dhe armë të gjata të një kategorie të veçantë, të pajisura me silenciator dhe të prodhuara në fabrikë. Ky komunikim është një tjetër element që, sipas hetimeve, tregon shtrirjen e bashkëpunimit mes anëtarëve të organizatës dhe lidhjet e tyre jashtë Shqipërisë.
Fotot e armëve, kokainës, arit dhe parave, së bashku me komunikimet për trafikun dhe marrëdhëniet me persona të ndryshëm jashtë vendit, përbëjnë një pjesë të materialeve që SPAK ka administruar në kuadër të hetimit ndaj grupit Çela-Çopja.












