
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua të martën me 17 muaj burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për tentativë të pengimit të drejtësisë, duke u përpjekur të ndërhynte te dëshmitarët në procesin e tij të mëparshëm gjyqësor për krime lufte, në të cilin ai gjithashtu u shpall fajtor.
“Ju shpall fajtor për tentativën e pengimit të zyrtarëve publikë në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare përmes veprimeve të përbashkëta, si dhe për shkeljen e konfidencialitetit të procedurave dhe për mosbindje ndaj gjykatës”, deklaroi gjyqtari Christopher Gosnell.
Pas shpalljes së vendimit, Thaçi i tha gjykatës: “Kjo është politikë, jo drejtësi.”
Prokuroria pretendoi gjatë gjykimit se Thaçi kishte kërkuar të ushtronte ndikim mbi dy ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilët po dëshmonin në çështjen e tij për krime lufte. Dëshmitë e të dy personave ishin në favor të mbrojtjes së Thaçit.
Në gjykim ishin gjithashtu ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ish-kryetari i një komune, Isni Kilaj, si dhe Fadil Fazliu.
Thaçi u shpall fajtor për mosbindje ndaj gjykatës lidhur me takimet me Fazliun në korrik të vitit 2023, gjatë të cilave, sipas akuzës, ai e kishte udhëzuar Fazliun se si duhej të dëshmonte njëri prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Fazliu u dënua me 12 muaj burg për tentativë të pengimit të zyrtarëve publikë në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare përmes veprimeve të përbashkëta, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Megjithatë, duke qenë se ai ka kaluar në paraburgim më shumë kohë sesa masa e dënimit, do të lirohet.
Thaçi u shpall i pafajshëm për akuzën e mosbindjes ndaj gjykatës lidhur me një takim me Smakajn në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit dyshohet se kishte tentuar gjithashtu të ndikonte te një dëshmitar. Megjithatë, Smakaj u dënua me 12 muaj burg për tentativë të pengimit të një zyrtari publik në kryerjen e detyrave të tij, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Thaçi u shpall gjithashtu i pafajshëm për akuzën e tentativës së pengimit të një zyrtari publik.
Kuçi u shpall fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe u dënua me një muaj burgim me kusht, i cili do të konsiderohet i shlyer pas një viti, me kusht që Kuçi të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe.
Kilaj u shpall i pafajshëm dhe do të lirohet.
Të pandehurit i mohuan të gjitha akuzat gjatë gjykimit, ndërsa vendimi mund të apelohet.
Duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, Thaçi e ka shlyer tashmë dënimin prej 17 muajsh burg.
Megjithatë, ai nuk do të lirohet, pasi në shtator, Dhomat e Specializuara e dënuan me 25 vjet burg për krime lufte.
Ai u shpall fajtor për vrasje, ndalim arbitrar, torturë dhe trajtim mizor, në cilësinë e një prej drejtuesve të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999.
Të pandehurit e tjerë, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, u dënuan përkatësisht me 25, 18 dhe 13 vjet burg.
Mbrojtja po përgatitet ta apelojë vendimin e shkallës së parë, i cili shkaktoi protesta në Kosovë dhe në Evropë nga pjesëtarë të diasporës shqiptare dhe mbështetës të UÇK-së.
Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës votoi për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, me qëllim kufizimin e kompetencave të tyre. Megjithatë, presidentja e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të mos votojnë ndryshimet ligjore pa u konsultuar me komunitetin ndërkombëtar, pasi gjykata u krijua përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara u krijuan posaçërisht për të gjykuar ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ato ndodhen në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, për shkak të dyshimeve mbi aftësinë e vetë sistemit të drejtësisë në Kosovë për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së, shumë prej të cilëve konsiderohen heronj në Kosovë. Ndikimi i paligjshëm te dëshmitarët ka qenë një nga shqetësimet kryesore të kësaj gjykate që prej fillimit të punës së saj.






