Televizioni kanadez CTV publikon investigimin për shqiptarin, thuhet se u përfshi në një çështje droge pas ndërrimit të etiketës së valixhes në aeroport
Televizioni kanadez CTV News, në emisionin investigativ W5, i ka kushtuar një reportazh të veçantë rastit të shqiptarit K.GJ, nga Toronto, i cili u përfshi në një çështje të rëndë droge në Shqipëri, pasi etiketa e bagazhit të tij dyshohet se ishte vendosur në një valixhe tjetër që përmbante lëndë narkotike.
Sipas investigimit, gjithçka nisi gjatë një udhëtimi drejt Shqipërisë, kur në aeroportin e Tiranës autoritetet doganore zbuluan kanabis në një valixhe të pakërkuar, e cila mbante etiketën e bagazhit të tij. Ai dhe bashkëshortja e tij, A.Gj, u ndaluan nga autoritetet shqiptare.
Ai ka deklaruar për televizionin kanadez se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e valixhes dhe se ajo nuk ishte e tij, transmeton Telegrafi.
Ai tregoi se gjatë qëndrimit në paraburgim kaloi rreth katër ditë në izolim, nën ndriçim të vazhdueshëm, ndërsa përpiqej të përballonte situatën e vështirë psikologjike.
Një element i rëndësishëm në mbrojtjen e tij është edhe një letër e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), e cila konfirmon se në aeroportin Toronto Pearson janë evidentuar raste të manipulimit dhe ndërrimit të etiketave të bagazheve.
Investigimi i CTV-së ka identifikuar rreth dy duzina raste të ngjashme, ku udhëtarët janë përballur me akuza penale pasi etiketat e bagazheve të tyre dyshohet se janë transferuar në valixhe që përmbanin drogë.
Për shkak të kushteve të lirimit me kusht, K.Gj ishte i detyruar të paraqitej çdo muaj në polici në Shqipëri, gjë që i ka vështirësuar jetën personale dhe profesionale. Në fund të reportazhit bëhet e ditur se këto kushte janë lehtësuar.
Rasti i shqiptarit është pjesë e një investigimi më të gjerë të W5, i cili ngre shqetësime për sigurinë e bagazheve në aeroportet ndërkombëtare dhe përgjegjësinë e kompanive ajrore dhe autoriteteve për mbrojtjen e udhëtarëve./Telegrafi/





























