Një aksident ajror në Serbi i ka marrë jetën një piloti ushtarak 53-vjeçar. Goran Bulajic humbi jetën pasi avioni luftarak me të cilin po fluturonte u rrëzua në një zonë fushore pranë Stara Pazovës, në veriperëndim të Beogradit.
Lajmi u konfirmua nga Ministria serbe e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se ngjarja ndodhi rreth 31 kilometra larg kryeqytetit. Rrethanat dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit.
Sipas njoftimit zyrtar, avioni ishte pjesë e Brigadës së 204-t të Aviacionit, me bazë në aeroportin ushtarak të Batajnicës.
Ky është një tjetër aksident i rëndë për aviacionin ushtarak serb. Që nga shpallja e pavarësisë së vendit në vitin 2006, forcat e armatosura kanë regjistruar 14 aksidente ajrore, ku kanë humbur jetën gjithsej 17 persona. Në këto ngjarje janë përfshirë 12 avionë dhe dy helikopterë.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Serbisë disponojnë aktualisht 14 avionë luftarakë MiG-29, të prodhuar në periudhën 1987–1991. Beogradi ka planifikuar rinovimin e flotës ajrore përmes blerjes së 12 avionëve francezë Dassault Rafale F4.
Kontrata për blerjen e tyre u nënshkrua në vitin 2024 dhe kap vlerën e 2.7 miliardë eurove, ndërsa dorëzimi i avionëve pritet të nisë në vitin 2028.













