
Kreu i PD-së Berisha bëri thirrje për bashkimin e të gjithë faktorëve kundër qeverisë Rama të cilën e quajti rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Në takimin e Beratit, kryedemokrati theksoi se bashkimi është mesazhi i vetëm përballë kërcënimeve që po përzënë shqiptarët nga vendi.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se droga ka marrë kontrollin në të gjitha nivelet dhe se vendi po përballet me një rrezik serioz. Berisha theksoi gjithashtu se Partia Demokratike ka një histori të lidhur me lirinë, vokacionin perëndimor dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit euroatlantik.
“Ka mesazhe të tjera, ju e patë, në atë uragan mesazhi i vërtetë ishte bashkimi, kurse mesazhi i çirakëve të qeverisë dhe armiqve të PD, ishte krahasimi i PD me partinë e krimit apo ishte krahasimi i Berishës me Edi Ramën me shpresën dhe mendimin se do mund të krijonin skenarin serb. Tani, unë nuk kam ndonjë tendencë të veçantë këtu të lavdëroj dhe të himnizoj PD-në, por përpjekjet ishin donkishoteske. Nuk është parti që thyhet kjo, se në fakt parti për interesin e parë kombëtar që nga java e parë e themelimit gjer sot, ka paguar çdo çmim. Një javë parti ishim ne kur deklaruam se çështja kombëtare është ylli ynë polar. Dhe çështjen kombëtare, të gjithë ata që e kishin krijuar, e pritën me drithma këtë deklaratë të partisë njëjavore. Në i qëndruam. Ne kemi bërë gabime, pa diskutim, por ama historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do gjejë se është historia e lirisë së shqiptarëve. Historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do të gjejë se është historia e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Mesazhi është bashkimi. Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi. Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin. Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli. Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë. Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria. Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët. Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet. Atëherë hajt të bashkohemi.” – tha Berisha.