Policia greke, në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ka parandaluar një sulm të dyshuar terrorist, për të cilin dyshohet se ishte organizuar me urdhër të shërbimeve iraniane të inteligjencës. Në pranga kanë përfunduar gjashtë persona, katër prej të cilëve shqiptarë dhe dy iranianë.
Sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel në Greqi, Artur Bibe, objektivi i atentatit ishte biznesmeni Avraam-Minos E. Moissis, i cili mban gjithashtu një pozicion të lartë drejtues në një kompani izraelite të prodhimit të armëve.
Moissis njihet për rolet drejtuese dhe pjesëmarrjen në bordet e administrimit të disa kompanive të mëdha në Greqi, kryesisht në sektorët farmaceutik, tregtar dhe industrial.
Sipas informacioneve të publikuara, autoritetet maqedonase kanë identifikuar si drejtues të organizatës Edriz Mavaneh, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhej nga persona me bindje radikale islamike nga zonat e Kumanovës dhe Shkupit.
Mes të arrestuarve është edhe Shpëtim Musliu, i datëlindjes 21 dhjetor 1996, lindur dhe banues në Kumanovë. Ai dyshohet se, së bashku me anëtarë të tjerë të celulës, do të merrte pjesë në atentatin ndaj biznesmenit.
Hetimet dyshojnë se operacioni financohej nga një shtetas iranian i identifikuar si Mabanex, i cili dyshohet se kishte marrë udhëzime nga shërbimet iraniane të inteligjencës për eliminimin e Moissis.
Për realizimin e atentatit dyshohet se ishin rekrutuar persona me bindje radikale islamike nga Kumanova, të cilët kishin pranuar të kryenin sulmin. Ata kishin tentuar të kalonin kufirin drejt Greqisë, por ishin ndaluar për shkak se rezultonin në listat e personave të dyshuar për pikëpamje radikale.
Edhe Shpëtim Musliu kishte tentuar më herët të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer në pikën kufitare të Evrosit. Në një përpjekje të dytë, ai u ndalua pasi shërbimet greke ishin njoftuar nga homologët e Maqedonisë së Veriut për planin e dyshuar të celulës.
Sipas raportimeve, autoritetet greke e kishin mbajtur grupin nën përgjim për afro një vit, duke ndjekur lëvizjet dhe kontaktet e anëtarëve të tij.
Pas dorëzimit të Shpëtim Musliut te autoritetet e Maqedonisë së Veriut, shërbimet greke kanë zgjeruar hetimet për të zbuluar nëse celula kishte bashkëpunëtorë apo persona që e orientonin në qarqet e komunitetit mysliman që jeton në Greqi.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht organizimin e atentatit të dyshuar, financimin e tij dhe lidhjet e mundshme me shërbimet iraniane të inteligjencës.r.r





