Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Kosova po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të vijojë drejt Nishit dhe të lidhet me Europën Qendrore.
Në një postim në Facebook, pas një takimi me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, Rama tha se këtë mundësi e ka diskutuar disa herë edhe me kryeministrin e Kosovës.
Sipas Ramës, projekti ka rëndësi jo vetëm për lidhjet infrastrukturore dhe ekonomike të rajonit, por edhe për NATO-n, për shkak të ndërtimit të portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.
“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj”, u është drejtuar Rama përfaqësuesve të biznesit japonez.
Kryeministri ka deklaruar se të dyja qeveritë janë të gatshme të bashkëpunojnë me kompanitë japoneze ose me çdo partner tjetër nga Japonia për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të projektit.
“Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, shkruan Rama.m.k





