Mbi 30 vite sukses, si u kthye kënga e Mariah Carey-t në himnin e Krishtlindjeve

Lifestyle | 4 minuta më parë

Më shumë se 30 vjet pas publikimit, kënga “All I Want for Christmas Is You” e Mariah Carey-t vazhdon të jetë një nga hitet më të dëgjuara të sezonit festiv, duke e konsoliduar këngëtaren si Mbretëresha e Krishtlindjeve.

E publikuar në vitin 1994, kënga u kthye në një fenomen botëror, ndonëse historia e krijimit të saj është më e thjeshtë nga sa mund të imagjinohet. Mariah Carey dhe bashkëpunëtori i saj në kompozim, Walter Afanasieff, thuhet se e shkruan këngën në vetëm 15 minuta.

Dyshja u frymëzua nga muzika e grupeve të vajzave të viteve ’60, veçanërisht nga grupi The Ronettes, duke synuar të rikrijonin stilin e njohur si “Wall of Sound”, të producentit Phil Spector.

Kënga u regjistrua në gusht të vitit 1994, shumë përpara sezonit të Krishtlindjeve. Për të krijuar atmosferën e duhur, Carey dekoroi studion me drita dhe pemë Krishtlindjesh, duke sjellë frymën festive edhe në mes të verës.

Suksesi i saj nuk ishte i menjëhershëm në klasifikimet muzikore. Për shkak se fillimisht nuk u publikua si këngë e vetme komerciale, nuk mundi të renditej në Billboard Hot 100. Vetëm pas ndryshimit të rregullave, që përfshinë shkarkimet dhe më vonë transmetimet online, kënga hyri në klasifikim në vitin 2017. Në vitin 2019, ajo arriti për herë të parë vendin e parë.

Me miliona kopje të shitura dhe rekorde të shumta në platformat e transmetimit, hiti është kthyer edhe në një burim të konsiderueshëm të ardhurash për këngëtaren. Sipas vlerësimeve të publikuara, Carey përfiton miliona dollarë çdo vit nga të drejtat e autorit dhe transmetimet citon Starinsider.

Në nëntor të vitit 2019, këngëtarja u vlerësua edhe nga Rekordet Botërore Guinness për këngën festive të një artisteje solo me renditjen më të lartë në Billboard Hot 100.

Gjatë viteve, “All I Want for Christmas Is You” është interpretuar edhe nga artistë të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Shania Twain, Michael Bublé, CeeLo Green dhe Miley Cyrus, duke dëshmuar se suksesi i saj ka kapërcyer breza dhe stile të ndryshme muzikore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme