Kush mban përgjegjësi për arrestimet e paligjshme të qytetarëve?
Përpara Kryeministrisë, protesta e qytetarëve kundër qeverisë po shoqërohet çdo mbrëmje me të njëjtën panoramë: protestuesit në njërën anë, forcat e Policisë së Shtetit në tjetrën. Të parët me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, të dytët me uniforma, furgonë policie dhe pranga.
Edhe këtë të martë, më 17 nëntor, protesta paqësore përfundoi me ndërhyrjen e forcave të rendit. Policia shtyu qytetarët drejt trotuarit dhe shoqëroi disa prej tyre në komisariat, mes të cilëve edhe vajza të reja.
Por çfarë justifikon ndërhyrjen fizike ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht? Dhe deri në çfarë mase mund të konsiderohet e nevojshme një ndërhyrje e tillë, kur tensioni duket se shtohet pikërisht nga përplasja me uniformat blu?
Gjatë javëve të fundit, një numër protestuesish janë shoqëruar ose arrestuar, duke përfunduar më pas përpara gjykatës. Disa prej tyre janë liruar, ndërsa një pjesë e arrestimeve janë vlerësuar të paligjshme.
Sipas një investigimi të BIRN, mbi 20 për qind e arrestimeve të protestuesve deri në fund të tetorit janë konsideruar të paligjshme nga prokuroria ose gjykata. Një shifër që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si policia po menaxhon protestat dhe mbi përgjegjësinë për veprimet e efektivëve në terren.
Krahas shoqërimeve dhe arrestimeve, policia ka vijuar të vendosë edhe gjoba prej 5 mijë lekësh për pengim të qarkullimit rrugor.
Në këtë mënyrë, një qytetar që del të protestojë mund të përfundojë në komisariat, të privohet nga liria deri në dy ditë dhe më pas të mësojë se arrestimi i tij është shpallur i paligjshëm nga gjykata.
Por kush mban përgjegjësi për këto raste?
Përgjegjësia institucionale drejtohet te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj. A ka kërkuar ai llogari për arrestimet që janë shpallur të paligjshme? A janë hetuar urdhrat për shoqërimin e protestuesve? Dhe a ka pasur masa disiplinore ndaj drejtuesve apo efektivëve që kanë kryer veprime të kundërligjshme?
Policia ka detyrimin të ruajë rendin dhe të ndërhyjë kur konstaton shkelje të ligjit. Por ushtrimi i këtij detyrimi duhet të respektojë edhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe garancitë ligjore për lirinë e tyre.
Sepse lirimi nga gjykata nuk i fshin pasojat e një arrestimi të paligjshëm. Dy ditët e kaluara në komisariat nuk kthehen më. Dhe pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë: kush do të përgjigjet për qytetarët që privohen padrejtësisht nga liria?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



