E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Pasi shkëlqeu me trenin Tiranë-Durrës, Rama kërkon japonezët për Durrës-Prishtinë
Lajme

Pasi shkëlqeu me trenin Tiranë-Durrës, Rama kërkon japonezët për Durrës-Prishtinë

Shqipëria vazhdon të presë trenin, ndërsa kryeministri Edi Rama prezanton projekte të reja hekurudhore dhe kërkon partnerë ndërkombëtarë për t’i realizuar. Këtë herë, vëmendja e qeverisë është përqendruar te Japonia dhe mundësia e përfshirjes së sipërmarrësve të këtij vendi në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Gjatë një takimi në Kryeministri me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, Rama publikoi fotografi nga bisedimet dhe shprehu dëshirën që Japonia të bëhet pjesë e projektit strategjik që synon të lidhë Shqipërinë me Kosovën përmes hekurudhës.

“Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë”, deklaroi kryeministri.

Por, përpara se të flitet për një tjetër projekt ndërkombëtar, Shqipëria ka ende një problem shumë më të afërt për të zgjidhur: rikthimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve në vend.

Linja Tiranë-Durrës, një nga akset më të rëndësishme të transportit në vend, është shoqëruar prej vitesh me premtime për modernizim dhe rikthimin e trenave. Projekti, i lidhur edhe me ndërtimin e degës drejt aeroportit të Rinasit, është prezantuar si një alternativë moderne për qytetarët, që do të lehtësonte lëvizjen mes kryeqytetit, Durrësit dhe aeroportit.

Megjithatë, pavarësisht afateve dhe pritshmërive të krijuara, shërbimi hekurudhor për pasagjerët ende nuk është vënë në funksion. Kështu, qytetarët vazhdojnë të presin një projekt që është reklamuar prej kohësh si një prej investimeve kryesore në transportin publik.

Edhe më e gjatë është historia e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Lidhja hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është promovuar prej vitesh si një projekt me rëndësi strategjike për ekonominë, transportin e mallrave dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ajo synon gjithashtu të rrisë rolin e Portit të Durrësit në transportin rajonal.

Në vitin 2022, projekti u shoqërua me premtimin se ndërtimi do të përfundonte brenda katër viteve. Afati i përmendur po mbyllet, por puna në terren ende nuk ka nisur.

Në këto kushte, përfshirja e mundshme e Japonisë mund të hapë një kapitull të ri për projektin, por deri atëherë Shqipëria përballet me një kontrast të dukshëm: flitet për lidhje të reja ndërkombëtare, ndërsa qytetarët ende nuk kanë në dispozicion as linjat hekurudhore që u janë premtuar prej vitesh.

Duket se, edhe këtë herë, Shqipëria do të duhet të vazhdojë të presë trenin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.