Pse nuk u mor një vendim për Spiropalin? Përgjigjet socialisti: Ja çfarë ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura

Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, ka komentuar vendimin e Asamblesë së PS-së për çështjen e Elisa Spiropalit, duke sqaruar se propozimi për përjashtimin e saj është bërë.
I pyetur nga moderatori Aleksandër Furxhi, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë në televizionin kombëtar Vizion Plus, se përse Asambleja nuk votoi për përjashtimin e Spiropalit dhe nëse kjo lidhej me mungesën e konsensusit apo me shmangien e një përplasjeje me kryetarin e partisë, Qose tha se çështja është ende në proces.
Ai theksoi se, në përputhje me statutin e Partisë Socialiste, vendimi për përjashtimin do të merret më vonë nga forumet përkatëse.
Pjesë nga intervista:
Pse Asambleja nuk e mori një vendim me votë për Elisa Spiropalin? Ishte për arsye se konsensusi nuk qëndronte apo për të shmangur ndoshta një përplasje me kryetarin? Si mendoni?
Adi Qose: Në fakt, siç besoj dhe ju jeni njohur tashmë, Partia Socialiste ka zhvilluar asamblenë e saj, e cila në fokus në fakt ka pasur momentin kyç të Shqipërisë dhe fokusin që Partia Socialiste dhe kjo qeveri kanë tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe në fakt fokusin tek zgjedhjet lokale që do të pasojnë vitin e ardhshëm. Besoj që diskutimet të cilat janë zhvilluar me dyer të mbyllura janë diskutime të cilat kanë të bëjnë me familjen tonë të Partisë Socialiste, por ajo që mund t’ju them është që në këtë asamble është propozuar pikërisht përjashtimi, siç edhe ju jeni bërë me dije tashmë nga forumet. Por ky është një vendim që sipas statutit do të merret më pas, është një çështje e cila është në proces dhe do të jenë forumet ato të cilat sipas statutit vendosin më pas përjashtimin e tyre.
/vizionplus.tv




