Parlamenti i Suedisë votoi përfshirjen e së drejtës për abort në Kushtetutë me qëllim të sigurimit të një mbrojtjeje më të fortë ligjore për gratë dhe vetëvendosjen mbi trupin e tyre. Në votimin e zhvilluar javën e kaluar 292 deputetë votuan pro ndryshimit kushtetues, 51 kundër, ndërsa gjashtë munguan; ndryshimi pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Dispozita e re përcakton që një grua shtatzënë ka të drejtë të ndërpresë shtatzëninë në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj, ndërsa detajet teknike dhe kufizimet do të përcaktohen më tej përmes legjislacionit përkatës. Qëllimi i formulimit kushtetues është që e drejta të mos mbetet thjesht formale, por të ketë një mbrojtje të zbatueshme në praktikë.
Nismën e nisi qeveria e kryeministrit Ulf Kristersson. Në vitin 2023, qeveria ngriti një komision ndërpartiak për të shqyrtuar të drejtat dhe liritë themelore, me përfaqësim nga të gjitha partitë parlamentare; komisionin e udhëhoqi gjyqtari Henrik Jermsten. Pas shqyrtimit, komisioni arriti në përfundimin se e drejta për abort dhe interesat që ajo mbron janë mjaft të rëndësishme për t’u garantuar edhe në nivel kushtetues, duke kontribuar sipas komisionit në forcimin e vetëvendosjes dhe integritetit trupor të grave shtatzëna.
Megjithatë, Partia e Majtë dhe Të Gjelbrit votuan kundër paketës në tërësi. Të dyja partitë mbështesin përfshirjen e së drejtës për abort në Kushtetutë, por shprehën kundërshtime ndaj dispozitave të tjera të paketës, veçanërisht atyre që lidhen me shtetësinë dhe lirinë e organizimit. Për shkak se ndryshimet u votuan si një paketë e vetme, deputetët nuk patën mundësi të votonin veçmas për secilën dispozitë, çka shpjegon edhe kundërshtimin e tyre ndaj paketës në total.
