Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj një punonjësi të Policisë së Kavajës, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.
Bëhet fjalë për efektivin me inicialet A.C., punonjës i rolit bazë në Komisariatin e Policisë Kavajë, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masën e sigurisë më 16 nëntor 2026.
Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal.
Sipas AMP-së, masa e sigurisë është caktuar mbi bazën e dyshimeve se punonjësi i policisë është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës.
Urdhri i Prokurorisë së Durrësit për zbatimin e vendimit të gjykatës u ekzekutua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar penale.


