Ky është 'Visi i Peqinit', Eskobari shqiptar që çoi në Europë tonelata me kokainë. Eurot i groposi tek ullinjtë
20:23, 17/11/2026
Nga Elton Qyno Syri.net
Përmes mijëra mesazheve në aplikacionin e enkriptuar “Sky”, prokuroria e posaçme SPAK, ka mundur të zbulojë një seri fotografish, jo vetëm të sasive të drogës, fitimeve maramendëse në euro, flotën e avionëve por edhe fotografitë e disa prej trafikantëve kryesorë të trafikut të drogës.
Një pjesë e mirë e këtyre fotografive është kthyer në çelësin kryesor për të identifikuar kodin “Sky” të përdoruesve, duke çuar në zbulimin e tyre mjaft lehtë nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme.
Ky që shihni në këtë foto është Ervis Çela ose siç njihet ndryshe tashmë si “Visi i Peqinit”, i cili mes shume bisedave që bën me Franc Gergely dhe Julian alias Fadil Balla, i dërgon foton e tij personale, duke çuar në identifikimin e menjëhershëm të tij.
Kjo ka sjellë më pas ndjekjen e detajeve të identifikimit si data ditëlindjesh, foto pasaporte, pamje të bizneseve të njohura që po ndërtonin në Shqipëri, duke çuar në zbulimin e mëtejshëm të personave të tjerë, të cilët ishin pjesë e këtij trafiku ndërkombëtar të drogës.
Fadil Balla, i njohur edhe me identitetin Julian Balla dhe nofkën "Shijaksi", është shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK që prej gushtit 2025, si i dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Së fundmi, në nëntor 2026, SPAK e ka dërguar dosjen e tij dhe të organizatës kriminale për gjykim.
Një prej personave të dyshuar nga SPAK si pjesë e kartelit shqiptar të drogës Ervis Çela,
jetonte në Paraguai, nga ku sasi të jashtëzakonshme droge niseshin drejt vendeve të BE-së.
“Më datë 15.10.2020, në orën 01:57:25, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij që jeton në Paraguai, Ardjan Çela, me të cilin kryen një bisedë e cila dyshohet se ka të bëjë me përfitimet financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Ervisi, e vë në dijeni Ardjanin se shtetasi Franc Gergely do të dorëzojë në Shqipëri një shumë e cila dyshohet se është 1 milion euro.
Sipas Ervisit, Franci jo vetëm ka shlyer të gjitha detyrimet, por ka kredituar një shumë prej 2 milion dollarë.
Ervisi gjithashtu e informon vëllain e tij në lidhje me shtetasin Fadil Balla, të cilit i referohet me emrin “Jul” (emri i mëparshëm i Fadil Ballës), se ky i fundit ka akumuluar një detyrim financiar shumë të lartë që arrin vlerën prej 7 milion e 373 mijë euro.
Kjo shumë dyshohet se lidhet drejtpërdrejt me trafikimin e lëndëve narkotike.
Nisur nga detyrimi financiar i Fadil Ballës, Ervisi është shumë pranë vendimit për të mos e furnizuar Fadilin më me lëndë narkotike.
Gjatë bisedës, Ervisi pyet vëllain e tij nëse shuma prej 20 milion, e cila dyshohet të jetë në monedhën dollarë, është e mjaftueshme për ta administruar në Paraguai.
Biseda e përftuar midis vëllezërve Çela është:
“Me kismet fundjavës t’kaloj 1 M në Shqipëri… I ka pagujt krejt ky… Ka 2M plus këtej… Po çon dhe lekë në Shqipëri’.”
Në dosje flitet për shuma të frikshme qarkullimi parash. Në një rast, mbi 1 milion euro janë dërguar në Peqin.
“…Në orën 10:39:46, Albin Çela komunikon me vëllain e tij Ervis Çela, të cilin e bën me dije se ka marrë një shumë të cilën ai e përshkruan si “1.160”, shumë e cila dyshohet se është 1 milion e 160 mijë euro, nga “shoku…”.
“…Solli 1.160 ky shoku. Ja kish dhonë në mes të rrugës… Ai çuni në TR…”.
Këtë shumë dyshohet se e ka transportuar nga Tirana në Peqin shtetasi Denis Daja.
Më tej, Ervis i përgjigjet vëllait të tij që këtë shumë të mos e shënojë si pagesë të shtetasit Fadil Balla, të cilit i referohet si “Shijaksi”.
Në orën 11:08:36, Franc Gergely komunikon me Ervis Çelën, të cilit i shkruan:
“..Ça bane…?” Mëngjes… I, 150,000 € ka dorëzu ti sot. Javës që vjen me kismet 1/1.2M tjera…”.
© SYRI.net
Lexo edhe: