Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar se Rusia mund të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës jetike të Ukrainës gjatë muajve të dimrit, duke synuar furnizimin me ujë, energji elektrike dhe ngrohje.

Duke folur në një takim në Bruksel, Pistorius tha se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me vendosmëri, ndërsa vendi po përgatitet për një tjetër dimër të vështirë nën sulmet ruse.


“Ne presim që Putini të përpiqet edhe një herë të shkatërrojë furnizimin me ujë, energji elektrike dhe ngrohje. Ai e përdor dimrin si armë”, deklaroi ministri gjerman.

Ai paralajmëroi gjithashtu se presidenti rus po përpiqet të fitojë kohë, duke shpresuar që Ukraina dhe aleatët e saj të lodhen dhe të heqin dorë nga mbështetja.

Pistorius bëri të ditur se Gjermania dhe aleatët e tjerë do të vazhdojnë ndihmën ushtarake për Kievin. Paketa e mbështetjes përfshin qindra miliona euro për nismën PURL (Lista e Prioriteteve të Nevojave të Ukrainës), me fokus të veçantë në mbrojtjen ajrore, radarë të avancuar, municion për avionët luftarakë që përdoren për rrëzimin e dronëve, si dhe ndihmë shtesë për programin e raketave Freya.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, foli për mbështetjen që aleatët po i ofrojnë Ukrainës, por paralajmëroi se një numër i vogël shtetesh vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të barrës.

“Aleatët evropianë duhet ta ndajnë barrën edhe më barabartë. Disa vende vazhdojnë të bëjnë pjesën më të madhe të punës. Të gjithë duam që Ukraina të ketë sukses dhe secili prej nesh duhet ta bëjë pjesën e vet”, tha Rutte.

Ai shtoi se kjo çështje do të diskutohet më tej në takimin e Koalicionit të të Gatshmëve në Berlin, të enjten.

Aleatët e Ukrainës u pyetën gjithashtu për deklaratat e fundit të nënsekretarit amerikan të Mbrojtjes, Elbridge Colby, i cili kishte vlerësuar se sulmet me rreze të gjatë veprimi nuk kanë qenë efektive për t'i dhënë fund luftës apo për të frenuar përparimin rus në vijën e frontit.

Colby pretendoi gjithashtu se sulme të tilla, përfshirë ato ndaj objektivave të lidhura me kompaninë Wildberries, mund ta kenë forcuar edhe më shumë vendosmërinë e Rusisë për të vazhduar luftën.

Rutte, megjithatë, mbrojti sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se është e rëndësishme që makineria ushtarake ruse të dobësohet.

Pistorius shkoi edhe më tej, duke e cilësuar si “mjaft të pamend” kritikën ndaj sulmeve ukrainase.

“Në vend që t’i kritikojmë ato, duhet të kritikojmë dhe të flasim për sulmet terroriste që kryhen çdo natë dhe çdo ditë ndaj infrastrukturës civile energjetike, të ujit dhe ngrohjes në Ukrainë”, deklaroi ai.

Edhe ministri britanik Wes Streeting u pyet për mungesën e sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë dhe nëse masat e shpallura nga aleatët do të mjaftojnë për ta përmirësuar situatën.

Streeting vlerësoi kontributin e aleatëve, duke thënë se ndihma e re do të ketë ndikim, por pranoi se nevojitet më shumë mbështetje.

Ai e përshkroi vitin 2026 si “vit katastrofal për makinerinë luftarake të Putinit”.

“Putini ka shkaktuar një numër të papranueshëm viktimash në radhët e ushtrisë ruse dhe u ka imponuar qytetarëve të tij një kosto të madhe ekonomike. E gjithë kjo, ndërkohë që vija e frontit pothuajse nuk ka lëvizur. Madje, kohët e fundit, ajo ka lëvizur në favor të Ukrainës”, deklaroi Streeting.