Një akademi futbolli me standardet dhe metodologjinë e klubit italian Inter pritet të nisë aktivitetin në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për formimin sportiv dhe edukativ të fëmijëve dhe të rinjve. Projekti Inter Academy Albania do të zhvillohet në Tiranë, pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për talentet e reja shqiptare.
“Sot hodhëm një hap të rëndësishëm drejt realizimit të projektit Inter Academy Albania, përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania.Inter Academy Albania, akademia zyrtare e FC Internazionale Milano në Shqipëri, synon të sjellë një model ndërkombëtar të formimit sportiv dhe edukativ, bazuar në metodologjinë, standardet dhe eksperiencën e një prej klubeve më të mëdha të futbollit botëror. Përmes përfshirjes së stafit teknik të Interit dhe trajnimit të trajnerëve shqiptarë, projekti do të krijojë mundësi të reja për qindra fëmijë dhe familje në kryeqytet, por edhe nga tërë rajoni.”- shkruan Gonxhja.
Një tjetër element i rëndësishëm i akademisë do të jetë ndërthurja e sportit me edukimin, duke nxitur fëmijët të arrijnë rezultate të mira edhe në shkollë. Projekti do të promovojë gjithashtu përfshirjen e vajzave në futboll dhe mbështetjen e talenteve të reja përmes programeve të bursave.
“Një nga shtyllat kryesore të akademisë do të jetë ndërthurja e sportit me edukimin, duke promovuar idenë se një sportist i mirë mund dhe duhet të synojë të jetë edhe një nxënës i shkëlqyer. Projekti do të nxisë gjithashtu përfshirjen e vajzave në futboll, mbështetjen e talenteve të reja dhe krijimin e mundësive përmes programeve të bursave, duke vlerësuar njëkohësisht rezultatet në shkollë, disiplinën dhe përkushtimin.”- shkruan ministri.










Komente
Komento