Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen e tij për një bashkim të gjerë të opozitës dhe forcave politike kundër qeverisë aktuale, duke deklaruar se nuk përjashton askënd nga ky front, përfshirë edhe kryetarin e Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori.

Gjatë një fjalimi në Berat, Berisha u shpreh se qëllimi kryesor është largimi i asaj që ai e quajti “narkoregjim” dhe garantimi i zgjedhjeve të lira, duke ftuar këdo që të ruajë platformën e tij politike, por të bashkohet për këtë qëllim të përbashkët.

Berisha: Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në.
Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni.
Jo të paktë ishin ata që më kërkonin mua të ndërmarrim protestat tona. Jo, ishte përgjigja ime e prerë.
Po pse? Po në rast se Flamingot do ta shpëtonin Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, po ne do festonim me gjithë shpirt.
Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë.
Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim.
Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.
Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial.
Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim.
Jo.
Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe.
Dhe çfarë? Të votojmë të lirë.
Të votojmë jo duke përdorur qindra e qindra milionë euro në aktivitete për të ndikuar votën e qytetarëve.
4530 aktivitetet të kundërligjshme, thonë raportet ndërkombëtare, organizoi Edi Rama për të ndikuar qytetarët në votë, gjer tek Giro D’Italia ditën e votimit 7 milionë euro, në mënyrë që qytetarët të thonë ja e ka edhe këtë me vete.
Pra, të bashkohemi.
Të mos ndodhë që të falen dy ditë para zgjedhjeve 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata për të blerë vota.
Të mos ndodhë të dekretohen 29 mijë hektarë për të mbjellë kanabis në vit elektoral.
Të arrestohen liderët e opozitës në vit elektoral.
Hajde të votojmë si qytetarë evropianë, të zgjedhim ata që duam.
Të respektojmë vullnetin e qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb