Më 7 tetor 2026 mbërriti një ngarkesë prej 27 tonësh mish derri të pacertifikuar, e shoqëruar me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Një ditë më vonë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) e bllokoi ngarkesën. Edhe pse mishi duhej të asgjësohej, një muaj pas bllokimit ai ende nuk ishte asgjësuar.
Fiks Fare ndoqi rastin për të kuptuar si kishte hyrë ngarkesa dhe pse asgjësimi ishte vonuar.
Fiks Fare iu drejtua subjektit King Mit, që kishte sjellë ngarkesën, për të kërkuar shpjegime mbi dokumentacionin dhe mënyrën se si ishte futur mishi. Subjekti refuzoi t’ia hapte derën ekipit. Kur gazetarja e pyeti pronarin se si e kishte futur ngarkesën, ai tha se nuk jepte llogari në media dhe i kërkoi të largohej.
Ekipi i Fiks Fare qëndroi për shtatë orë në Fier, ku ndoqi nga afër një aksion me përfshirjen e policisë, strukturave të krimit ekonomik, Prokurorisë dhe AKU-së. I pyetur për arsyen pse mishi nuk ishte asgjësuar, AKU Fier tha se po e pengonte Prokuroria. Fiks Fare iu drejtua Prokurorisë për të sqaruar nëse kishte dhënë ndonjë urdhër që ngarkesa të mbahej pas bllokimit.

Në përgjigjen për Fiks Fare, Prokuroria deklaroi se nuk kishte urdhëruar që mishi të mbahej pa u asgjësuar. Përgjigjja la të hapur pyetjen se çfarë e vonoi asgjësimin pas bllokimit të 8 tetorit. Cili institucion duhej të vepronte dhe pse 27 tonët e mishit mbetën pa u asgjësuar për një muaj?
Por një tjetër fakt i rëndësishëm del në dritë: vetë struktura e Hetimit Ushqimor ka kallëzuar kolegët e AKU-së në Fier dhe punonjës të Doganës, për problematikat që lidhen me këtë çështje.

Për të sqaruar nëse mishi ishte mbajtur pa u asgjësuar me urdhër të Prokurorisë, Fiks Fare iu drejtua këtij institucioni.
Në përgjigjen e saj, Prokuroria, përmes Blerina Gjylametit, sqaroi se nuk kishte dhënë asnjë urdhër për mbajtjen e mishit pa u asgjësuar.
Një përgjigje që ngre edhe më shumë pikëpyetje mbi përgjegjësinë institucionale: nëse Prokuroria nuk kishte urdhëruar mbajtjen e mishit, kush vendosi që 27 tonët të qëndronin të bllokuara për një muaj dhe pse nuk u veprua për asgjësimin e tyre?
Fiks Fare vijon të kërkojë përgjigje për një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve./TCH













