Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se në fshatin Bare është vendosur gurthemeli i fushës së tretë sportive multifunksionale, duke përmbyllur kështu ceremoninë e vendosjes së gurthemeleve për tri fusha sportive gjatë ditës së sotme.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, nënkryetari i komunës, Enis Osmani, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, si dhe sekretari i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Lendrit Iljazi.


Sipas njoftimit të komunës, këto investime synojnë zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe sportistët e kësaj komune.

Me këtë rast, kryetari Faton Peci ka falënderuar ministrin Blerim Gashani për mbështetjen e dhënë për sportin në Mitrovicë, duke vlerësuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën sportive.

Vendosja e gurthemelit në fshatin Bare shënon përmbylljen e ceremonive për tri fushat sportive multifunksionale, gurthemelet e të cilave janë vendosur gjatë ditës së sotme. /Telegrafi/