Fantazitë erotike janë shumë më të zakonshme nga sa mendohet, por mbeten një nga temat për të cilat gratë flasin më pak. Studimet tregojnë se në qendër të tyre shpesh qëndron dëshira për t’u ndier të dëshiruara, kurioziteti për përvoja të reja dhe tërheqja ndaj lojërave të roleve, ndërsa psikologët theksojnë se ajo që imagjinohet nuk përkthehet domosdoshmërisht në dëshirë për ta përjetuar në realitet.
Sipas një prej studimeve më të gjera mbi këtë temë, të kryer nga psikologu social amerikan Justin Lehmiller me më shumë se 4 mijë të rritur, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit kishin pasur të paktën një fantazi seksuale. Kjo tregon se fantazimi është një pjesë normale e mendjes njerëzore, pavarësisht moshës apo statusit të marrëdhënies.
Të ndihen në qendër të dëshirës
Një nga temat që përsëritet në studimet mbi fantazitë erotike të grave është dëshira për t’u ndier të vëzhguara, të joshura dhe të dëshiruara me intensitet. Në këto skenarë, rëndësi nuk ka vetëm aspekti fizik, por edhe atmosfera, përfshirja emocionale dhe pritshmëria që krijohet përpara intimitetit.
Shikimet, mesazhet dhe momentet e pritjes mund të luajnë një rol të rëndësishëm, pasi dëshira shpesh nis të ndërtohet shumë përpara kontaktit fizik.
Dominimi dhe dorëzimi i kontrollit
Një tjetër kategori e shpeshtë lidhet me dinamikat e pushtetit në marrëdhëniet intime: fantazia për t’u udhëhequr nga partneri ose, në të kundërt, për të marrë vetë kontrollin e situatës.
Një studim kanadez me më shumë se 1.500 pjesëmarrës evidentoi se skenarët e dominimit dhe nënshtrimit ishin ndër fantazitë më të përhapura.
Megjithatë, psikologët bëjnë një dallim të rëndësishëm: të fantazosh për dorëzimin e kontrollit nuk do të thotë se dëshiron të përjetosh të njëjtën gjë në jetën reale. Fantazia mund të jetë thjesht një hapësirë imagjinare ku njeriu çlirohet përkohësisht nga përgjegjësitë dhe nevoja për të kontrolluar gjithçka.
Risia dhe përvojat e pazakonta
Kurioziteti për të renë është gjithashtu një element i rëndësishëm. Në studimet e cituara përmenden fantazi që përfshijnë vende të pazakonta, partnerë të ndryshëm apo përvoja në grup.
Këto skenarë mund të ushqejnë dëshirën për surprizë dhe të thyejnë monotoninë e rutinës. Por fakti që dikush i imagjinon nuk do të thotë se ka ndërmend t’i realizojë.
Fantazia nuk është domosdoshmërisht dëshirë për ta përjetuar
Ky është një nga përfundimet kryesore të kërkimeve: ekziston një dallim i madh mes asaj që një person imagjinon dhe asaj që do të dëshironte të provonte në të vërtetë.
Edhe fantazitë që mund të duken të pazakonta apo të sikletshme nuk janë domosdoshmërisht tregues të pakënaqësisë në çift dhe as një gjykim për personalitetin e individit. Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë të mos shoqërohen me ndjenjë faji.
A duhet të ndahen fantazitë me partnerin?
Për disa çifte, ndarja e fantazive mund të forcojë afërsinë dhe bashkëpunimin në marrëdhënie. Megjithatë, këshillohet që kjo të bëhet me delikatesë, pa presion dhe duke zgjedhur momentin e përshtatshëm.
Mund të fillohet me diçka të thjeshtë, duke dëgjuar edhe reagimin e partnerit dhe duke respektuar kufijtë e secilit. Pëlqimi dhe dakordësia mbeten thelbësore në çdo përvojë intime.
Në të njëjtën kohë, mbajtja e një fantazie për vete është po aq normale. Imagjinata mund të mbetet një hapësirë personale, pa qenë e nevojshme të kthehet në një përvojë reale./TGCom24/


