Partia Demokratike ka dënuar ndërhyrjen e policisë gjatë protestës së mbrëmjes së sotme para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
Në një deklaratë, nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka akuzuar policinë për dhunë ndaj protestuesve, duke pretenduar se efektivët kanë marrë me forcë vajza dhe djem që po ushtronin të drejtën e tyre për protestë paqësore.
Këlliçi thotë se protestuesit nuk kanë penguar qarkullimin, pasi janë grumbulluar në trotuare dhe kanë përdorur si mjet proteste thirrjet për largimin e kryeministrit.
PD kërkon ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve policore dhe paralajmëron se efektivët dhe personat që kanë dhënë urdhrat do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Në fund të deklaratës, Këlliçi u bën thirrje të rinjve të marrin pjesë në protestën e 28 nëntorit.
Deklarata e plotë e nënkryetarit të PD-së, Belind Këlliçi:
Edi Rama po dhunon, po merr zvarrë dhe po shoqëron qytetarët që po protestojnë në mënyrë paqësore para zyrës së tij. Edhe sonte banditët ne uniformë morën me forcë vajza e djem, të cilët thjesht janë grumbulluar duke ushtruar të drejtën universale të protestës paqësore!
Qytetarët nuk po kryejnë asnjë akt madje nuk pengojnë as rrugën pasi mblidhen në trotuar.
Të vetmin mjet ata kanë thirrjet për largimin e Edi Ramës. Është kjo arsyeja pse ai po i dhunon.
Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës ndaj qytetareve dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të çdo forme represioni.
Kryeministri më i korruptuar në Europë nuk lejon tanimë as ushtrimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe përdor veglat e tij të dhunës në Policinë e Shtetit për të dhunuar dhe frikësuar kryen qytetarët e Tiranës.
Policët dhe urdhëruesit e tyre duhet ta dinë se po bëhen pjesë e një fushate kriminale për të cilën do të mbajnë përgjegjësi.
Kur autokrati të bjerë dhe dita nuk do të jetë e largët, ata do të dalin të gjithë para drejtësisë. Do të japin llogari për çdo goditje, dhunim, përplasje, marrje me forcë e torturë që i kanë bërë të rinjve të Shqipërisë.
Nga i pari tek i fundit.
I bëjmë thirrje të rinjve dhe të rejave që më 28 nëntor ti dëshmojnë dhunuesit se ditët i ka të numëruara dhe ky është kilometri i fundit për narkodiktatorin! m.k





