Alarmi i FBI për sulme kibernetike në të gjithë botën ka ardhur si pasojë e tentativave për të ndërhyrë në kompani, por pa ndikim real, thotë Aldor Nini, drejtues i “Acromax”.

“FBI këto lajmërimet i jep në lidhje me sulmet e përgjithshme që po ndodhin në të gjithë botën. Janë tentativa për të ndërhyrë në sisteme të ndryshme por nuk kanë pasur ndonjë ndikim për popullatën e gjerë. Është një instalim i gabuar i router-ëve që kanë shkaktuar mbingarkesë të rrjetit. Edhe Google ka pasur probleme sot, por Google vetë ka thënë se kanë qenë raste të vogla”, shprehet Nini në lidhjen direkte me “Repolitix” në Report Tv.

Ndërsa eksperti i sigurisë Redion Qirjazi thotë se Inteligjenca Artificiale e ka bërë mjaft të lehtë që me një kompjuter, të shkaktosh dëme të mëdha.

“Kjo e bën jashtëzakonisht më të lehtë për individët që kanë qëllime negative. Me resurse të limituara dhe njohuritë e duhura, mund të shkaktosh një dëm masiv që ka shpejtësi në përhapjen e saj. Mjafton të kesh kompjuterin tënd dhe disa parametra kyç dhe të shkaktosh dëme të mëdha. Kemi pasur raste të ndërhyrjes në infrastrukturën fizike që është e ndërlidhur me IA. Njësia e Google për kërcënimet e ndryshme është shprehur që së fundmi ka pasur një sërë goditjesh kibernetike”, shprehet Qirjazi.

Një prej këtyre sulmeve që eksperti i referohet është edhe ai ndaj frigoriferëve në supermarketet në Francë që shkaktoi dëme të mëdha. Nini shpjegon se sulmi ndodhi nëpërmjet çipave.

“Kanë qenë disa çipe që kontrollonin frigoriferët që prodhuesi i kishte implementuar dhe nuk i kishte përditësuar. Në software ka dalë një problem dhe hakerat kanë hyrë e kanë ndryshuar çfarë ato veprojnë. Me IA mund të kontrollosh gjithçka, edhe dritat në studio”, tha Nini.

Eksperti ndan një mendim ndryshe nga Qirjazi lidhur me Inteligjencën Artificiale, të cilën e sheh si mjet sigurie, por njëkohësisht edhe shkaktare të më shumë problemeve.

“Me IA gjërat bëhen më të sigurta nëse di ta përdorësh. Në Shqipëri nuk dimë ta përdorim si duhet. Por, IA ka një problem tjetër që të shkakton më shumë probleme në sistemet e tua sepse bëjmë përditësime shumë më të shpeshta”, tha Nini.

Sipas statistikave të sjella nga eksperti Qirjazi, në 3 muajt e fundit mendohet se kanë qenë 2800 sulme serioze kibernetike në të gjithë botën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:09
Inteligjenca Artificiale me dorë ‘të hekurt’! Nini: Lexoi mesazhet dhe ia hoqi vetë kredencialet punonjësit! ‘E pushuam’ nga puna për 3 ditë

Sistemet me Inteligjencë Artificiale po krijojnë gjithnjë e më shumë pavarësi duke marrë vetë edhe vendime. Drejtuesi i ‘Acromax’, Aldor Nini, shprehet se e ka parë këtë situatë në kompaninë e tij përmes një sistemi që e instaluan dhe e larguan brenda 3 ditësh.

Nini shpjegon në “Repolitix” në Report Tv se sistemi ndërmori vetë veprime sigurie në kurriz të një punonjësi pa zotëruar një autorizim të posaçëm.

“Testuam një sistem që për 3 ditë e hoqëm nga puna. Në vend që të lexonte mesazhet që i dërgonim sistemit, lexonte mesazhet mes punonjësve. Ndërmori vetë veprime sigurie sepse cilësoi që një punonjësi nuk i ishin hequr akseset dhe ia hoqi vetë. Më dërgoi edhe mua email. Nëse nuk do të më ishte dërguar, s’do të isha në dijeni për asgjë. Vendimet i kishte marrë vetë, s’ishte i programuar”, tha Nini.

Ora 21:59
Inteligjenca Artificiale me ritëm ‘galopant’! Eksperti Qirjazi: Hakerët po përshpejtojnë sulmet, algoritmi po zhvillohet vetë

Inteligjenca Artificiale po përdoret nga hakerët për të përshpejtuar goditjet kibernetike. Eksperti Redion Qirjazi shprehet në “Repolitix” në Report Tv se edhe programuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë zhvillimin e algoritmit, pasi ai i ka marrë vetë ‘frerët’ në dorë.

“Sulmuesit po përdorin IA që të përshpejtojnë sulmet e tyre. Për herë të parë, njerëzit janë në një fazë ku e kanë të vështirë të kapin ritmin me të cilin po zhvillohet IA. Ne kemi të bëjmë me të panjohurat të panjohura, mjellmat e zeza që edhe ata që janë programues nuk mund ta parashikojnë me saktësi se ku zhvillohet algoritmi. Algoritmi ka filluar të zhvillohet vetë”, tha Qirjazi.