Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj Iranit, duke shënjestruar një bazë për lëshimin e raketave në ishullin strategjik të Qeshmit, në Gjirin Persik.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Reuters, e cila citon një zyrtar ushtarak amerikan. Sipas tij, avionët luftarakë amerikanë kryen sulmet gjatë ditës së martë, si kundërpërgjigje ndaj goditjeve iraniane kundër personelit dhe aseteve ushtarake të SHBA-së në rajon.
Ishulli i Qeshmit ka një rëndësi të veçantë ushtarake dhe gjeopolitike për shkak të pozicionit pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Qeshmi është ishulli më i madh në Gjirin Persik dhe konsiderohet një pikë strategjike për kontrollin e trafikut detar në këtë zonë. Në territorin e tij dyshohet se ndodhen edhe instalime ushtarake iraniane, përfshirë sisteme raketore.
Deri më tani, Uashingtoni nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi objektivat konkrete të goditura, dëmet e shkaktuara apo pasojat e operacionit.
Sulmi vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të përplasjes ushtarake dhe diplomatike mes dy vendeve.
