Kontrolli i drithërave në Shqipëri vijon të përballet me problematika serioze, nga inspektimet në pikat kufitare deri te mungesa e kapaciteteve laboratorike për të identifikuar rreziqet kimike në produktet ushqimore. Dekani i Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, Kapllan Sulaj, i ftuar në emisionin “Alert” në News24 komentoi gjetjet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke vlerësuar analizën e kryer dhe duke evidentuar mangësitë e sistemit të kontrollit ushqimor, veçanërisht në veprimtarinë e AKU-së.
Sipas Sulajt, auditimi përbën një raport analitik dhe profesional, pasi për herë të parë trajton në mënyrë të detajuar funksionimin e sistemit të kontrollit të drithërave, duke u mbështetur në fakte, të dhëna dhe informacione të mbledhura nga institucione të ndryshme, përfshirë doganat. Në fokus të analizës janë kontrollet kufitare, inspektimet e ngarkesave të drithërave, marrja e mostrave dhe raporti mes numrit të tyre dhe ngarkesave që kanë hyrë në vend.
Një nga problematikat kryesore që evidenton eksperti është fakti se AKU vijon të ushtrojë kontrolle zyrtare jo gjithmonë mbi bazën e vlerësimit të riskut. Sipas tij, numri i mostrave të marra dhe të analizuara nuk përputhet me volumin e ngarkesave që hyjnë në treg, duke krijuar boshllëqe në identifikimin e produkteve që mund të paraqesin rrezik për konsumatorët.
“AKU vazhdon të ushtrojë kontrolle zyrtare jo mbi bazën e rrezikut. Është një problem delikat, i cili kërkon zgjidhje. Drithërat mbeten një burim kryesor i rreziqeve kimike” u shpreh Sulaj.
Eksperti ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e kapaciteteve laboratorike në sistemin e sigurisë ushqimore. Sipas tij, laboratorët nuk arrijnë të përmbushin kushtet për të qenë laboratorë të akredituar, ndërsa mungesa e pajisjeve, trajnimeve dhe burimeve njerëzore të kualifikuara vë në pikëpyetje besueshmërinë e matjeve dhe analizave.
“Ka mungesë të theksuar të laboratorëve për analizimin e drithërave, pra të ushqimit në tërësi. Matjet nga laboratorë jo të akredituar nuk janë të besueshme. Është një rrugë që duhet mbështetur me pajisje instrumentale, trajnime dhe burime njerëzore të kualifikuara, të cilat fatkeqësisht i mungojnë sistemit.”
Një tjetër problem lidhet me mënyrën se si AKU përcakton ngarkesat që duhet të kontrollojë. Sipas ekspertit, përqendrimi i inspektimeve te subjektet që dominojnë tregun nuk garanton identifikimin e rrezikut, pasi një ngarkesë e vetme mund të përmbajë produkte problematike dhe të shpërndahet në treg përpara se të zbulohet.
“Rreziku është i fshehur në një ngarkesë. Duhet gjurmuar dhe kontrolluar për ta gjetur atë. Nuk mund të mbështetesh vetëm te fakti se kush dominon tregun. Duhet të ketë kontroll dhe analiza që të vërtetojnë nëse produkti i përmbush standardet apo jo.”
Sulaj vë në pikëpyetje edhe mungesën e raporteve analitike që të dëshmojnë nëse drithërat dhe produktet e tyre përmbushin standardet e sigurisë ushqimore. Sipas tij, pa marrjen dhe analizimin e mostrave në mënyrë të mjaftueshme, institucionet nuk mund të garantojnë se produktet që qarkullojnë në treg janë të sigurta për konsumatorët.
Gjetjet e auditimit dhe vlerësimi i ekspertit nxjerrin në pah nevojën për një sistem kontrolli ushqimor që mbështetet te analizat laboratorike, gjurmueshmëria dhe inspektimet efektive. Mungesa e këtyre mekanizmave e bën të vështirë identifikimin në kohë të rreziqeve kimike dhe garantimin e sigurisë së drithërave dhe miellit që konsumojnë qytetarët.
