Kombëtarja U-21 ka barazuar 0-0 ndaj Spanjës U-21, në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, duke menaxhuar me kujdes lojën dhe duke i bërë ballë një kundërshtari me cilësi të larta.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simoni (GK), Daka, Sina, Ramaj, Kacurri, Përndreca, Huqi, Fetai (C), Brruti, Dodaj, Rashica.
Shqipëria e nisi mirë takimin, me organizim dhe vendosmëri në fushë, duke kërkuar edhe hapësirat për të rrezikuar portën kundërshtare. Kevin Dodaj dhe Ermir Rashica patën mundësi të mira për të shënuar, por kuqezinjtë nuk arritën t’i konkretizonin rastet e krijuara.
Gjatë gjithë takimit, Kombëtarja U-21 tregoi disiplinë taktike, organizim dhe angazhim, duke administruar mirë ritmin e lojës dhe duke mos i lejuar Spanjës të krijonte hapësira të shumta për të shfrytëzuar cilësitë e saj.
Një performancë shumë të mirë zhvilluan edhe portierët Simon Simoni dhe Alain Taho, të cilët mbajtën portën të paprekur.
Një atmosferë shumë e veçantë u krijua edhe në shkallët e stadiumit “Air Albania”, ku një numër i madh tifozësh shqiptarë ishin të pranishëm për të mbështetur nga afër kuqezinjtë. Mbështetja e tyre shoqëroi ekipin gjatë gjithë 90 minutave, në një mbrëmje të bukur futbolli.
Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore e Kombëtares U-21 në këtë periudhë, pas fitores 3-1 ndaj Luksemburgut. Barazimi pa gola ndaj Spanjës përbën një tjetër test të vlefshëm për skuadrën e Alban Bushit në vijim të punës dhe përgatitjeve për sfidat e ardhshme dhe Kampionatin Europian U-21 2027.







