Ukraina i jep goditje Rusisë në Krime, dëmtohet rëndë ura strategjike
Ukraina ka dëmtuar rëndë urën strategjike që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë, në një operacion që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar si të paprecedentë dhe që ishte përgatitur për disa javë.
Pamjet e publikuara nga zyrtarët ukrainas tregojnë se një pjesë e urës së Krimesë është shembur në ujë, duke i shkaktuar Moskës një goditje të rëndësishme logjistike dhe simbolike në luftën kundër Ukrainës.
Kremlini ka deklaruar se ura do të rindërtohet “më mirë se më parë”, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për sulmin e kryer gjatë natës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Zelensky ka bërë të ditur se sulmi ishte rezultat i një operacioni me shtatë faza, të realizuar nga ushtria dhe shërbimet e sigurisë së Ukrainës. Sipas tij, forcat ukrainase fillimisht shkatërruan gradualisht sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet e luftës elektronike, përpara se të arrinin objektivin kryesor.
Ai ka thënë se gjatë fazës vendimtare të operacionit janë përdorur disa lloje dronësh ukrainas, si dhe raketat kruz Flamingo dhe Neptune.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka deklaruar se për më shumë se një muaj kishte zhvilluar operacione për të neutralizuar sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Sipas ushtrisë ukrainase, pjesa rrugore e urës aktualisht është jashtë funksionit dhe asnjë automjet nuk mund të kalojë nëpër të. Ndërkaq, pjesa hekurudhore ka mbetur në këmbë, por me dëmtime në strukturën mbështetëse. Ministria ruse e Transportit ka njoftuar më vonë se disa shërbime hekurudhore kanë rifilluar.
Ura e Krimesë ka rëndësi të veçantë strategjike për Rusinë, pasi përmes saj transportohen trupa dhe pajisje ushtarake drejt vijës së frontit. Ajo u ndërtua nga Rusia pas pushtimit dhe aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.
Infrastruktura, që ka kushtuar rreth 3.6 miliardë dollarë, konsiderohet gjithashtu një projekt personal i Putinit. Ajo u ndërtua nga biznesmeni rus Arkady Rotenberg, mik i afërt i presidentit rus, ndërsa në maj të vitit 2018, Putini mori pjesë në inaugurimin e saj duke kaluar mbi urë me një kamion.
Ukraina ka synuar disa herë këtë urë, por deri më tani nuk kishte arritur ta nxirrte plotësisht jashtë funksionit.
Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës kanë prekur edhe kryeqytetin ukrainas, Kiev. Kryetari i bashkisë, Vitaliy Klitschko, ka njoftuar se dy ura kryesore mbi lumin Dnipro, Pivnichnyi dhe Pivdennyi, janë mbyllur pas sulmeve. Ura jugore është rihapur pjesërisht të martën.
Sulmi ndaj urës së Krimesë vjen në një moment të rëndësishëm politik, para takimeve të pritshme të Putinit me liderët e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Përveç rëndësisë ushtarake, ura konsiderohet edhe simbol i pushtimit rus në Ukrainë. Për këtë arsye, goditja ndaj saj shihet si përpjekje e Kievit për të rritur jo vetëm koston ekonomike, por edhe atë politike të luftës për Moskën.















