Trump - Putin - Xi Jinping, takimi historik në Shenzhen: A është ky një 'Jaltë e re'?

Trump - Putin - Xi Jinping, takimi historik në Shenzhen: A është ky një 'Jaltë e re'?

22:26, 17/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ai i Kinës Xi Jinping dhe Rusisë Vladimir Putin do të takohen për herë të parë në një samit të përbashkët trepalësh në Shenzhen. Çfarë pritet?

Ky takim që do të zhvillohet të enjten është cilësuar si historik nga shumëkush ndaj edhe pritjet janë të mëdha. Në Shenzhen do të taohen Presidenti i SHBA-së Donald Trump, Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe Presidenti rus Vladimir Putin për herë të parë në një samit të përbashkët trepalësh. Shenzhen gjendet në jug të Kinës, pranë Hong Kongut.

Disa politikanë e kanë krahasuar samitin me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku liderët e fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore vendosën për riorganizimin e Evropës. Fotografia e Stalinit, Rooseveltit dhe Churchillit në atë konferencë mbetet një nga simbolet më të njohura të diplomacisë botërore.

Ndërsa Trump, Xi dhe Putin përgatiten të ulen në një tryezë të përbashkët, disa shtete druhen se liderët e tri fuqive më të mëdha bërthamore mund të diskutojnë ndarjen e zonave të ndikimit në botë. Në qendër të bisedimeve pritet të jenë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë dhe propozimet e Putinit për një arkitekturë të re sigurie në Evropë.

Ukraina paralajmëron kundër një „Jalte të dytë"

Kievi është veçanërisht i shqetësuar për çdo diskutim mbi Ukrainën pa pjesëmarrjen e saj. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar qartë: "Ne nuk duam një Jaltë të dytë”, duke paralajmëruar kundër marrëveshjeve të mundshme mes fuqive të mëdha në dëm të Ukrainës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, theksoi se Putini nuk ka arritur ende objektivat e tij ushtarake dhe se Rusia nuk është në pozitë për të diktuar sfera të reja ndikimi në Evropë. Sipas tij, maksimumi që Moska mund të arrijë aktualisht është një armëpushim përgjatë vijës ekzistuese të frontit.

Moska dhe Pekini hedhin poshtë krahasimet

Rusia dhe Kina nuk pajtohen me krahasimet me Jaltën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se samiti ka rëndësi të madhe ndërkombëtare, por se nuk synon krijimin e një rendi të ri botëror apo imponimin e vendimeve ndaj vendeve të tjera.

Edhe eksperti kinez i marrëdhënieve ndërkombëtare, Wu Xinbo, e quajti të gabuar termin "Jalta 2.0”. Sipas tij, qëllimi kryesor është diskutimi i krizave globale dhe ruajtja e stabilitetit strategjik mes fuqive të mëdha.

Çfarë pritet të diskutohet?

Takimi zhvillohet në përfundim të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Një nga temat kryesore pritet të jetë stabiliteti strategjik global, përfshirë çështjen e çarmatimit bërthamor.

Putini ka propozuar disa herë rifillimin e negociatave për kufizimin e armëve bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë që në këto bisedime të përfshihet edhe Kina. Gjithashtu, në tryezën e diskutimeve mund të jenë zhvillimet e inteligjencës artificiale, siguria globale dhe sfidat kryesore me të cilat përballet bota sot.

Megjithëse samiti pritet të tërheqë vëmendjen e mbarë botës, analistët janë të mendimit se ai vështirë se do t'i japë fund luftës në Ukrainë. Por takimi mund të shënojë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes tre fuqive më të mëdha të planetit. /DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco