Goditje për La Ligën, Gjykata Supreme i jep të drejtë Real Madridit për marrëveshjen e investimit

Goditje për La Ligën, Gjykata Supreme i jep të drejtë Real Madridit për marrëveshjen e investimit

20:03, 17/11/2026

Real Madridi ka marrë një fitore të rëndësishme jashtë fushës së lojës.

Gjykata Supreme e Spanjës ka refuzuar ankesën e La Ligës, duke konfirmuar anulimin e marrëveshjes së investimit prej vitit 2021 me fondin privat CVC.

Vendimi përfundimtar i drejtësisë spanjolle konfirmon padinë e ngritur nga Real Madridi dhe Athletic Bilbao, ndërsa La Liga do të duhet të mbulojë edhe të gjitha shpenzimet ligjore të procesit të apelit.

Sipas gjykatës, marrëveshja ishte e pavlefshme, pasi klubet nuk kishin marrë informacionin e nevojshëm për të kuptuar plotësisht përmasat ekonomike të operacionit, ndikimin dhe pasojat e ndryshimeve të bëra në momentet e fundit.

Ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm në konfliktin mes Real Madridit dhe drejtuesve të kampionatit spanjoll, pasi klubi madrilen kishte qenë një nga kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjes me CVC.

Pas vendimit, Real Madridi reagoi përmes një komunikate zyrtare, duke e cilësuar atë si një konfirmim të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të klubeve, transparencën dhe qeverisjen e mirë në futbollin spanjoll.

Klubi theksoi se Gjykata Supreme kishte konfirmuar pavlefshmërinë e marrëveshjes së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e La Ligës më 12 gusht 2021, pasi klubet nuk kishin pasur mundësinë të njiheshin plotësisht me kushtet e saj.

Gjithashtu, madrilenët nënvizuan se gjykata kishte kritikuar edhe përpjekjen e La Ligës për të zëvendësuar kriteret e vendosura nga Gjykata e Apelit të Madridit me interpretimin e saj.

“Real Madridi do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e klubeve, si dhe respektimin e ligjshmërisë, transparencës dhe qeverisjes së mirë në futbollin spanjoll”, thuhet në komunikatën e klubit.

Kështu, beteja ligjore për marrëveshjen CVC merr një tjetër zhvillim, me Real Madridin dhe Athletic Bilbaon që konfirmojnë kundërshtimin e tyre ndaj një prej operacioneve më të diskutuara financiare në futbollin spanjoll.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco