Një udhëtim me taksi në Nottingham të Anglisë është kthyer në një skenë dhune, pasi dy pasagjerë kanë sulmuar shoferin dhe i kanë marrë paratë pas një debati për çmimin e udhëtimit.
Ngjarja ndodhi në prill të këtij viti, në zonën e Carlton, dhe u regjistrua nga kamerat e sigurisë të instaluara brenda automjetit.
Në pamje shihen Joshua Campbell, 33 vjeç, dhe Brad-Lee Barber, 30 vjeç, duke debatuar me shoferin nga sediljet e pasme, pasi pretendonin se tarifa e udhëtimit ishte tepër e lartë.
Situata përshkallëzohet kur taksia ndalon. Barber kalon drejt sediljes së shoferit dhe e sulmon, ndërsa Campbell e kap nga pas për fyti dhe i shtrëngon qafën me të dyja duart. Në këtë moment, Barber përfiton nga situata dhe merr paratë që ndodheshin në arkën e taksisë.
Pasi Barber largohet me paratë, shoferi përpiqet të shpëtojë duke shtypur gazin. Lëvizja e menjëhershme e automjetit e vë Campbell në rrezik të bjerë jashtë, por ai arrin të mbahet pas sediljes dhe më pas hidhet drejt timonit, duke nisur një tjetër përleshje me shoferin.
Automjeti ndalon sërish dhe Campbell largohet me vrap, pasi kupton se bashkëpunëtori i tij është larguar. I tronditur nga ajo që kishte ndodhur, shoferi telefonoi shërbimet e emergjencës në numrin 999.
Policia e Nottinghamshire nisi hetimet dhe arriti të identifikojë dy autorët përmes pamjeve filmike. Campbell u akuzua për grabitje dhe mbytje me dashje, ndërsa Barber për disa vepra penale, përfshirë grabitjen e taksistit.
Ky i fundit rezultonte i përfshirë edhe në një grabitje me thyerje në një kafene në Nottingham, në nëntor të vitit të kaluar, ku kishte marrë kasën e parave.













