Numri i koshereve të bletëve në Shqipëri po rritet, por prodhimi i mjaltit nuk po ndjek të njëjtin ritëm. Përqendrimi i shumë bletëve në të njëjtat zona, mungesa e studimeve për kullotat bletare dhe kontrollet e pamjaftueshme po kthehen në problematika për sektorin.
I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Ervis Mema, Sekretar i Shoqatës së Bletërritësve të Tiranës theksoi se rritja e numrit të koshereve nuk garanton më shumë prodhim mjalti. Sipas tij, INSTAT duhet të ketë statistika më të sakta si për numrin e koshereve, ashtu edhe për sasinë e mjaltit të prodhuar.
“Mund të kemi më shumë koshere, por jo domosdoshmërisht më shumë prodhim mjalti. Shumë bletë bashkohen në të njëjtin vend dhe kjo ul mundësinë e prodhimit. Duhet të kemi studime për kullotat bletare, në mënyrë që të shmangim përqendrimin e tyre në të njëjtat zona” u shpreh Mema.
Një tjetër shqetësim është mungesa e mbikëqyrjes së bletarëve dhe kontrollit për sëmundjet që prekin kolonitë. Sipas tij, mungesa e njohurive dhe e kontrolleve te disa bletarë mund të rrezikojë edhe punën e atyre që e ushtrojnë këtë aktivitet me profesionalizëm.
“Një bletar që nuk njeh një sëmundje mund të dëmtojë edhe bletarin tjetër që punon me seriozitet. Përveç trajnimit, duhet t’i kemi nën mbikëqyrje, t’i kontrollojmë bletët dhe t’i ndihmojmë” deklaroi ai.
Mema ngriti gjithashtu shqetësimin për moszbatimin e ligjit për bletarinë, i cili, megjithëse është hartuar, ende nuk ka gjetur zbatim konkret. “Ligji për bletarinë u krijua, por ka mbetur në sirtar” tha ai.
Mema solli si shembull Slloveninë, si model i bletarisë botërore, ku kontrollet dhe organizimi i sektorit janë shumë më të rrepta.
Sa i përket mbështetjes financiare, Mema vlerësoi rritjen e subvencionit nga 1 mijë në 2 mijë lekë për koshere dhe uljen e pragut nga 50 në 25 koshere: “Këto ndryshime kanë nxitur më shumë bletarë të regjistrohen dhe të aplikojnë për mbështetje. Për vitin 2027 numri i aplikantëve arrin në rreth 7 mijë”
Megjithatë, ai theksoi se prodhimi i mjaltit mbetet i ndikuar nga kushtet atmosferike, stinët dhe periudhat e lulëzimit, ndaj rendimenti ndryshon nga një vit në tjetrin.
