Nga shpresa te zhgënjimi, Kosova mbyll aventurën në Ligën e Kombeve me humbje

Kosova e ka mbyllur me një humbje të rëndë fazën e grupeve të Ligës së Kombeve. Në transfertën ndaj Republikës së Irlandës, “Dardanët” u mposhtën me rezultatin 3-0, në takimin e fundit të Grupit B3.
Ndeshja u komplikua për skuadrën e Franco Fodës që në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndali me dorë topin në vijën e portës. Irlanda përfitoi nga penalltia, me Troy Parrott që kaloi vendasit në avantazh dy minuta më vonë.
Sulmuesi irlandez u tregua sërish i saktë nga pika e bardhë në minutën e 50-të, duke dyfishuar shifrat. Ndërsa Jack Moylan vulosi fitoren 3-0 në minutën e 75-të.
Me këtë sukses, Irlanda siguroi vendin e dytë në grup dhe të drejtën për të luajtur në fazën e “play-off”-it për ngjitjen në Ligën A. Nga ana tjetër, Kosova e mbyll këtë edicion me një rezultat zhgënjyes, në një sfidë ku inferioriteti numerik ndikoi ndjeshëm në ecurinë e saj.




