
Një lajm i trishtë mbrëmjen e të martës, është ndarë nga jeta “Mjeshtri i Madh”, inxhinieri Zef Gjini, kryetar i Shoqatës së Artizanëve dhe Zejeve të Shqipërisë, kryetar i Shoqatës “Mirdita” për Shkodrën.
Zef Gjini ktheu në institucion një traditë të lashtë dhe të trashëguan në shekuj, siç ishte artizanati dhe zejet. Nga viti 2007, me formimin e Shoqatës së Artizanëve dhe Zejeve të Shqipërisë, bashkoi vit pas viti mëse 50 profesionistë të kësaj fushe, nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe më gjërë.
Nga viti 2010, organizoi Panairin e Artizanatit në Shkodër që mbahet për rreth 50 ditë në vit përgjatë pedonales “Kolë Idromeno”. Po ashtu, realizoi edhe ekspozita dhe aktivitete promovuese edhe jashtë Shkodrës. Shoqata e drejtuar nga ing. Gjini, ishte pjesë e nismave dhe fondeve kombëtare për ringjalljen e zejeve të humbura, si projekti “Panairi i Rijetësimit të Zejeve të Humbura”.
Me ndarjen nga jeta të Zef Gjinit, artizanati dhe zejet në Shqipëri, humbin një promotor, organizator dhe përçues të kësaj tradite. ShkodraWeb i shpreh ngushëllime familjes, të afërmëve, miqve dhe kolegëve të tij.
Më poshtë, mund të ndiqni një video të ditës kur Zef Gjini mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Ilir Meta, me 12 gusht 2020.




